Mjeku personal rrëfen si vdiq Enver Hoxha

1 muaj më parë

Mjeku personal rrëfen si vdiq Enver Hoxha

Nga: Isuf Kalo

Epo ç’të bëjmë?

Vetoja përjashtuese që kish vënë vetë Enveri për të mos e dërguar në klinika të specializuara e të mirëpajisura jashtë vendit qoftë edhe në rast të ndonjë situate shumë të rëndë, krijonte tension të madh te ne mjekët e tij, pasi ishim të vetëdijshëm për mangësitë teknologjike e të kompetencës së plotë të mjekësisë sonë të atëhershme. Për mangësi të tilla duhej t’i drejtoheshim e t’i kërkonim ndihmë konkrete Ramizit.

Një ndër takimet me të, që nuk e harroj, ndodhi në muajt e fundit të jetës së Enverit, kur situata shëndetësore e tij u rëndua në një shkallë kritike, sepse po dilte në pah rreziku i një bllokimi të mundshëm të veshkave të tij. Diabeti, siç pritej, i kish dëmtuar jo vetëm zemrën dhe sytë, por edhe veshkat. Analiza e kreatininës ishte në shifra të rritura.

Nën ndikimin e njërit apo tjetrit faktor mund të shfaqej në çdo kohë bllokim i plotë, mosfunksionim i veshkave, zhbllokimi ose zëvendësimi i funksionit të tyre, nëse ato do të bllokoheshin, mund të kryhej vetëm me anë të aparatit të dializës. E keqja ishte që mjekësia jonë atëherë nuk ofronte dot një shërbim cilësor dhe efikas të tillë. Ndërkaq, për alternativa të tjera jashtë vendit i kishim duart e lidhura. Mundësia e kurimit të Enverit jashtë vendit ishte përjashtuar nga ai vetë.

Kolegët e mi të ekipit mjekësor të Enverit, të alarmuar, më kërkuan të ndërhyja që të siguroheshin urgjent aparaturat e nevojshme për dializën në kushte shtëpie, të cilat disponoheshin asaj kohe në botë, por ne na mungonin. Nëse bllokimi që dyshonim do të ndodhte vërtet dhe do të na gjente me duart lart, të dorëzuar, pa mundur të bënim asgjë, kishte për të qenë katastrofë. Askush nuk do të na e falte ne mjekëve që Enveri të vdiste i pamjekuar, për mungesë të një aparature, në një kohë kur bota mjekonte të sëmurë të tillë të shumtë me sukses, falë hemodializës pastruese të gjakut.

Bazuar në kërkesën urgjente të ekipit mjekësor u lidha në telefon personalisht me Ramizin, si person i kontaktit dhe i vetmi që mund të urdhëronte gjithçka. Ai m’u përgjigj se ishte i zënë, por mund ta takoja pas një ore në shtëpinë e pritjes nr. 1, brenda Bllokut.

Kur vajta aty e gjeta të veshur me tuta, duke luajtur pingpong me M. B. Kur më pa, ai pa e ndërprerë lojën pyeti: “Hë mo doktor, ç’kemi?”. Mirëpo unë nuk mund të flisja në praninë e lojtarit tjetër, për një çështje, që në konceptin e atëhershëm përbënte sekret madhor shtetëror. Për habinë time ai e vazhdoi për disa minuta lojën si i përpirë prej saj. Po prisja në këmbë, plot ngut dhe ankth. Kisha imagjinuar që ai do të shqetësohej e do të reagonte menjëherë për situatën alarmante që ne mjekët përjetonim, si për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë profesionale, ashtu edhe prej frikës së llogaridhënies, pasi ishte e sigurt që do të pyeteshim pse nuk ishin marrë paraprakisht masat që të sigurohej gjithçka që nevojitej për shpëtimin e jetës së Enverit.

Por ai vazhdoi lojën, pa e ndërprerë atë edhe për ca kohë. Sjellja dhe qëndrimi i tij ndaj një situate shëndetësore kërcënuese për jetën e Enverit, kontrastonte me atë të dy paraardhësve të tij, Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, me të cilët, kur ishin gjallë, sa herë i kisha kontaktuar në situata të ngjashme, reagonin shpejt, me shqetësim dhe u jepnin zgjidhje problemeve menjëherë.

Kur më në fund mbaroi lojën e pingpongut ai erdhi tek unë i djersitur dhe pyeti përsëri shkurt: “Hë mo doktor, kemi ndonjë të re?”. I shpjegova sa munda problemin dhe kërkesën tonë dhe prisja që ai të alarmohej ose të angazhohej ta sillte me urgjencë aparatin që mungonte. Por ai vazhdoi me të njëjtën qetësi, pa alarm: “Epo, ç’të bëjmë? Kur nuk kemi, nuk kemi …”. Shumë gjëra na mungojnë. Kjo është gjendja. Pastaj vazhdoi: “Ju bëni tuajën sa të mundeni. Bëni ç’të jetë më e mirë për të. Ndërkohë ne do të përpiqemi t’i sjellim ato që ju nevojiten”. Unë heshta. “Do të përpiqemi” nuk ishin fjalët siguruese që prisja. U pamë një hop në sy dhe imagjinova që nuk qe çudi që ai po thoshte atë çast me vete: “Ç’mund të bëj unë më shumë sesa ju”, ndonëse realisht aso kohe ai ishte i plotfuqishmi i vendit.

Unë prisja një tjetër nivel shqetësimi (më të lartë) dhe tjetër ritëm veprimi (të menjëhershëm). Duke u larguar prej tij, nuk ndihesha i sigurt nëse ai e pati apo jo vëmendjen dhe përqendrimin e duhur për të kuptuar se çfarë duhej, çfarë po i kërkonim konkretisht.

Këtë radhë takimi im me të ishte kryesisht i natyrës informative, pra vënie në dijeni e udhëheqjes për një rrezik dhe kërcënim të ri shëndetësor të kryeudhëheqësit, por edhe kërkesë për marrjen e masave për t’i dalë së keqes përpara. Ndërkohë, situata nuk ishte ende në fazën që do të kërkonte mjekimin me hemodializë, por dëmtimi mund të përparonte me shpejtësi, deri në bllokimin e veshkave. Sidoqoftë, aparaturat u siguruan pak më vonë, por nuk u zbatuan tek Enveri, sepse për fat të mirë, komplikacioni u stopua dhe nuk përparoi më tej.

Duke u larguar prej Ramizit, atë ditë, tek e lashë të djersitur, veshur me tuta sportive, seç pata një ndjesi jo të këndshme, ndoshta edhe zilie, kur pashë qetësinë dhe vetëkontrollin emocional që kishte. Ndërkohë, ne si ekip përjetonim plot ankth e adrenalinë çaste dramatike për shpëtimin nga vdekja dhe zgjatjen e jetës së pacientit që na ishte besuar, ai që pritej të bëhej pasardhës i tij në krye të pushtetit merrej me sport, për të ruajtur dhe përmirësuar formën fizike.

Nuk kishte asgjë për t’u qortuar. Ishte diçka e përligjur. Shëndeti i mirë atij i duhej për ditët që e prisnin. Për fat të mirë të pacientit, falë kujdeseve mjekësore, për të cilat ne mjekët ndiheshim krenarë, fundi i pritshëm i tij vonoi shumë më gjatë sesa besohej. Por një ditë edhe ai fund i padëshirueshëm erdhi. E keqja që u përpoqëm ta shmangnim a ta shtynim për sa më vonë, ndodhi. Ja ku ishte tani ai para syve tanë, i shtrirë, i pajetë, përgjithmonë.

xxx

Siç kishim rënë dakord si ekip që më parë, ia lejuam kënaqësinë e shëtitjes, por gjithmonë nën vëzhgimin tonë. Ai u gëzua. Por nuk arriti, që ta shijonte. Gjysmë ore më pas, në orën 09:30, ndërkohë që Fahriu ishte ende pranë tij dhe Nexhmija e ulur në divanin përballë, ai teksa po ngrihej nga shtrati pësoi ndalim të menjëhershëm të zemrës dhe ra pa ndjenja, në komë. Fahriu thërriti dhe menjëherë i filloi pa ndërprerje masazhin e zemrës. Ndërkohë në çast Nexhmija shtypi butonin e urgjencës dhe brenda pak sekondash mbërritëm njëkohësisht ne mjekët që ishim në gatishmëri shumë pranë me çantën e urgjencës, me barnat, serumet dhe me aparatin defibrilator.

Por pacienti prej atij çasti nuk u zgjua dot më. Nga ajo orë e asaj dite dhe deri afër agimit në orën 02:15 të datës 11 prill, historia e Shqipërisë qëndroi pezull në atë dhomë gjumi të shndërruar në sallë reanimacioni duke pritur dhe vështruar e hutuar e me mëdyshje rezultatin e përpjekjeve tona. Minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite ajo qëndroi e ngrirë e pavendosur se çfarë rruge të ndiqte më tej. Si enigmë fluide e paformëzuar, qëndronte pa guxuar të shkëputej nga e shkuara dhe me mëdyshje, hezituese për t’iu drejtuar së ardhmes. Do të vijonte të njëjtën rrugë ku Shqipëria ishte? Apo, si somnambulë, do të merrte pa kthim një rrugë të panjohur, krejt tjetër?

Përpjekjet tona për ta nxjerrë nga koma dhe risjellë artificialisht në jetë me aparate, tuba, shishe gjithfarësh, barna e serume, rezultuan pa sukses. Pas goditjeve të përsëritura elektrike në kraharorin e tij si për të na nxitur apo shpërblyer mundin, rrahjet e zemrës u rishfaqën. Unë besova se ishte një rikthim në jetë dhe atë kohë i thashë me eufori të parakohshme Nexhmijes, që hyri atë çast në dhomë për t’u informuar: “U rikthye, filloi t’i rrahë zemra”.

Por jeta e tij mbahej artificialisht, falë serumeve, ndërkohë që truri nuk u zgjua. Kishte vdekur. Zemra e tij pushoi përfundimisht së rrahuri pa ardhur ende agimi në orën dy e një çerek të datës 11 prill 1985.

Enveri vdiq qetësisht, sikur të ishte njohur e familjarizuar që më parë me vdekjen. Kishte diçka burrërore në shpërfilljen ndaj saj. Nuk e zuri atë asnjëherë në gojë në gjallje të tij. Vdiq pa na kërkuar e pa u lutur ta ndihmonim e shpëtonim. Dhe pa u ankuar, pa na qortuar e as falënderuar. Iku pa lënë amanete, sepse, edhe po të mundej nuk do të na i kishte thënë neve. Dhe ishte e kuptueshme. Deri në sekondën e fundit të jetës ai ishte në funksionin e burrit të shtetit e të kreut të tij. Si i tillë edhe sekretet e lidhura me të i duhej t’i merrte me vete në varr.

Atë kohë unë kuptova që nuk e kisha përgatitur veten për një çast të tillë. Ndonëse ai pritej prej sëmundjeve që vuante. Ndieja së brendshmi një lloj qetësie të panjohur më parë, e cila nuk kishte lidhje me paqen as me prehjen, por me pafuqishmërinë. Ndoshta vinte nga lodhja ime e skajshme mendore e shpirtërore, e cila e kish kaluar pragun. Të njëjtën gjë ndienin edhe kolegët e tjerë të heshtur të ekipit mjekësor pranë. Tij. Askush prej nesh nuk kishte çfarë t’i thoshte, çfarë t’i pyeste, as t’i sqaronte tjetrit.

Ramizi, vetëm pak minuta pas mesnatës, rreth orës një të datës 11 prill, ishte larguar për në shtëpinë e tij. Shkoi për t’u çlodhur e qetësuar pak. Unë ia dija numrin e telefonit dhe njoftova atë të parin me telefon. Ata ishin fqinj dhe ai erdhi menjëherë. Në librin e tij “Enveri Ynë” ndihet një si peng i tij që nuk u ndodh aty në çastin kur Enveri mbylli sytë përgjithmonë.

“Natën e 10 prillit, shkruan aty ai, qëndrova në shtëpinë e shokut Enver deri në orën 24:00. Më këshilluan të pushoja pak, sa për të marrë disi veten nga lodhja fizike dhe mundimet shpirtërore të ditëve të fundit. Nuk kaluan vetëm pak çaste dhe në orën 02:15 minuta të datës 11 prill bie zilja e telefonit. Ishte mjeku i shokut Enver, i cili më tha shkurt: “Po mbaron. Tani i thamë edhe shoqes Nexhmije”. Pas pesë minutash u gjenda në shtëpinë e Enverit, por e gjeta pa jetë. Ai nuk i hapi sytë, nuk më foli, nuk më buzëqeshi siç e kishte zakon. Zemra e Enver Hoxhës kishte pushuar përgjithnjë”.

Ramizi erdhi drejt e në dhomën e gjumit të Enverit, ku ishte tashmë trupi i tij i pajetë dhe u bashkua me familjarët e tronditur e të përlotur, duke u solidarizuar me ta. Ai iu tha i vetëpërmbajtur, pa gjestikulacione, por ngrohtësisht fjalët stereotipa ngushëllues që thuhen në raste të tilla. Pa lot, pa dridhje zëri, pa dënesa. I përqafoi miqësisht e përzemërsisht në heshtje me radhë një nga një: Nexhmijen, djemtë, Ilirin e Sokolin, vajzën, Pranverën, dy motrat e Enverit, Haxhon e Sanon dhe Teutën, Liljanën e Klemin. Na përshëndeti me respekt edhe ne, mjekët që rrinim në këmbë të heshtur e të ngurosur si të gjithë të pranishmit aty.

Ai, natyrisht, nuk pritej të shkulte flokët si Lekë Dukagjini kur vdiq Skënderbeu. As të ulërinte e të binte në gjunjë si në tragjeditë antike, por ne që u ndodhëm aty në atë çast, na bëri përshtypje sjellja emocionalisht e përmbajtur, jo alarmante, në vetëkontroll të plotë. Ramizi e përjetoi një ngjarje të tillë madhore që po ndante historinë e mëtejshme të Shqipërisë në mes, pa sforco, pa dramacitet e pa teatralitet.

Tek e shihja, ndjeva se në ato momente ai qe i ndërgjegjshëm që fati sapo i kishte dhuruar një rol dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Dukej i qetë, i sigurt dhe i parapërgatitur për të. “Të na rroni ju shoku Ramiz!”, kumboi atë kohë në heshtjen dhe hutimin e të gjithëve, zëri i Hekuran Isait, tashmë ministër i Brendshëm dhe më i besuari i tij. Askush nuk foli. As Ramizi vetë. A i erdhi mirë?

Enveri nuk po e shihte dhe as e dëgjonte më. Ai qëndronte tani para syve tanë, i shtrirë, i pajetë përgjithnjë në shtratin e posaçëm mjekësor të sjellë në dhomën e tij të gjumit. I mbuluar nga një çarçaf i bardhë. Shumë shpejt, në shtëpinë Enverit u mblodhën anëtarët e Byrosë Politike, si dhe veteranët Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi, Pilo Peristeri etj.

Shumë vite më pas nga kjo ngjarje, në janar 2018, teksa ndodhesha në Kopenhagën, pata rastin të shoh premierën e filmit të ri “Vdekja e Stalinit”, një satirë politike me tone tragjiko-komike të Armando Iannuçit, i cili sapo kishte filluar të shfaqej në ekranet e kryeqyteteve të Europës. Në atë film satirizohej hipokrizia, servilizmi, humbja e integritetit, karrierizmi, intrigat, pabesia, lufta për pushtet dhe deformimi moral e shpirtëror i elitës udhëheqëse të anëtarëve të Byrosë Politike, bashkëpunëtorë të Stalinit, që i trembeshin atij edhe tek e shihnin në shtrat të vdekur.

Një tablo e tillë nuk u pa atë natë në shtëpinë e Enverit, besnikut të fundit të Stalinit. Të gjithë ata që u mblodhën rreth shtratit të tij erdhën të pikëlluar, pa ëndrra, pa intriga apo plane të fshehta për ta zëvendësuar atë në krye të partisë dhe të shtetit. Ndryshimi me kolegët e tyre sovjetikë ishte se, në Shqipëri, çështja e pasardhësit ishte “kopsitur”, mbyllur që në gjallje nga vetë Enveri. Ai ishte i paravendosur dhe i gjithëpranuar: Ramiz Alia.

Ajo natë e ndarjes së Enverit nga jeta ishte për mua dhe kolegët e ekipit mjekësor e veçantë dhe si e mbështjellë me një mjegullnajë mistike. Ishin nga ato momente që na shkëputin nga e zakonshmja, nga e përditshmja, rutina për të na zhytur në reflektime dhe ankth. Isha i ndërgjegjshëm se atë natë sapo kishte mbaruar një epokë 40-vjeçare dhe një tjetër e re sapo kishte nisur për vendin, për partinë, për familjen e tij, por edhe për ne që ishim përpjekur gjatë shumë viteve që të shtyhej sa më shumë apo të mos ndodhte kjo që ndodhi.

Në atë agim, kur dita ishte si e mjegullt, ja ku po shihja arkivolin prej druri të mbuluar me një velenxë sipër, me trupin e Enverit brenda, që po zbriste shkallët e brendshme, e të dilte nga shtëpia i mbajtur mbi supe prej oficerëve roje personale të tij: Behar Zhurda, Fahri Bufi, shoferi Myslym Kore etj., për t’u çuar në frigoriferin e morgut të Spitalit Universitar të Tiranës.

Atje do të bëhej autopsia. Përcjellja po zhvillohej nën heshtjen e akullt e të thellë nga familja dhe të pranishmit. Të gjithë si trupa të ngrirë. Të shtangur. Pa klithma, pa dënesa, pa ulërima. Nexhmija qëndronte e zbehtë, e ngurosur si statujë, e mbështetur tek e bija dhe e rrethuar nga fëmijët e tjerë. Arkëmorti zbriti ngadalë edhe shkallët e jashtme të vilës dhe i përshkoi ato pak metra deri te makina mortore e parkuar para shtëpisë. Ishte kontakti i parë i Enverit të pajetë në arkivol me qiellin sipër tij. Arkivoli u ndal një çast te porta e jashtme e oborrit të shtëpisë, në të cilën ai pat dalë e hyrë përditë kur shkonte e vinte në zyrë, si për t’u përshëndetur për se fundi herë me të.

Një makinë e zezë funeralesh e priste për ta çuar në frigoriferin e morgut të Spitalit Universitar të Tiranës. Atje do t’i bëhej autopsia. Makina u nis dhe la një heshtje të thellë e të zgjatur pas. Nëse është e vërtetë ajo që thuhet në mitologjinë greke që shpirtrat ndahen nga trupi dhe shkojnë në mbretërinë e Hadit, perëndisë së vdekjes për t’u rimishëruar pas 1000 viteve në një qenie tjetër, ai duhet të ketë qenë momenti. Sipas asaj mitologjie, të ndjerit duhet t’i jepet me vete edhe një monedhë në gojë për të paguar Karontin, varkëtarin që i çon ata përmes lumit Akeron në mbretërinë nëntokësore pa jetë. Enveri nuk pat mbajtur asnjëherë në gjallje para e monedha me vete. Me siguri e nisën për në botën tjetër pa to (Por nëse ai do të mund të rimishërohej vërtet një ditë, në çfarë forme do të rishfaqej vallë?).

Nuk di nëse pati atë natë yje apo jo. Që brenda dhomës ku ne mjekët u përballëm me vdekjen e tij, yjet nuk dukeshin. Po të ketë pasur duhet të kenë fërkuar sytë të habitur me mosbesim. Habia veç të tjerave mund të lidhej edhe me datën.

Pikërisht 24 vite më parë, në të njëjtën datë e muaj, më 9 prill, por të vitit 1961, kishte rënë në koma e dhënë shpirt larg Shqipërisë, në një spital të Francës edhe një tjetër udhëheqës i shqiptarëve, mbreti Zog I. Edhe ai, si Enveri, kishte lindur në të njëjtin muaj, tetor. Të dy armiq të betuar të përjetshëm mes tyre dhe protagonistë me role e vlerësime kontroverse në historinë tonë.

Sipas etikës mbretërore të Francës, vend që të dy e kishin për zemër, “mbreti nuk mund të sëmuret rëndë e as të vdesë gjetkë, por patjetër në shtratin e tij luksoz (C’est a Versaille sir que il faut etre malade)” është e shprehur kjo kërkesë në frëngjisht. Enver Hoxha, pa qenë mbret, e plotësoi atë. Vdiq në shtëpi, në shtratin e vet. Kurse Mbreti Zog I nuk e pati këtë mundësi. Por eshtrat e asnjërit prej tyre nuk u lanë të pushonin të qeta në varr. Për arsye të ndryshme, njërin për ta nderuar dhe tjetrin për ta çnderuar, ata u zhvarrosën dhe u rivarrosën për së dyti.

Dita dhe orët e mëngjesit të ri kishin filluar dhe ekipi mjekësor do të vihej po atë ditë në ballafaqim me të vërtetat e diagnozës dhe të shkaqeve të vdekjes së tij gjatë autopsisë së pacientit VIP të sapolarguar nga jeta. Nuk di nëse u konsultua dhe a i mori dikush lejen Nexhmijes për ta kryer atë, por e sigurt është që ajo do të ishte e pamundur të bëhej pa miratimin e saj. Në fund të fundit Enveri ishte lider që i përkiste vendit dhe popullit, po aq sa familjes dhe asaj vetë. Dhe historisë. Pavarësisht si do ta vlerësonte më pas ajo./Gazeta Liberale