Mirëqenia e shëndetit mendor, problem në ngritje në mesin e të rinjve në Evropë

4 muaj më parë

Mirëqenia e shëndetit mendor, problem në ngritje në mesin e të rinjve në Evropë

Një numër përherë më i madh i adoleshentëve evropianë janë duke vuajtur nga problemet e shëndetit mendor, ka treguar të mërkurën një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Studimi, i njohur zyrtarisht si “Sjellja e Shëndetit te Fëmijët Adoleshentë” (HBSC) zbulon rënie evidente të mirëqenies mendore të adoleshentëve në shumë vende të Evropës, në periudhën kohore midis viteve 2014 dhe 2018.

Studiuesit kanë vrojtuar shëndetin dhe sjelljen sociale të më se 22.000 nxënësve të moshave 11, 13 dhe 15-vjeçare në Kanada dhe Evropë.

Rezultatet e nxjerra ishin: mirëqenia mendore bie teksa fëmijët rriten, teksa vajzat adoleshente janë veçanërisht të prekura.

“Një nga katër adoleshentët raportuan se janë mbërthyer nga ndjenja e nervozizmit, irritimit apo se kanë pasur probleme që të flenë natën për çdo javë”, thuhet në studim.

Studiuesit kanë vërejtur po ashtu dallime midis gjinive, të cilat kanë ndryshuar bazuar në moshën dhe statusin socioekonomik. Në më se një të tretën e vendeve, adoleshentët nga familjet me të ardhura më të ulëta kishin raportuar shqetësime të shumëfishta të shëndetit mendor.

Rreth 41 për qind e djemve kanë thënë se ndihen mendërisht të shëndetshëm, krahasuar me 33 për qind të vajzave.

Numri i fëmijëve që janë ndier nën presion shkaku i detyrave të shtëpisë është rritur në një të tretën e vendeve të ekzaminuara, ka treguar studimi. Më shumë se një në çdo dhjetë studentë kanë raportuar të kenë qenë cak i ngacmimeve kibernetike në dy muajt e fundit.

Guardian