Miratohen konkluzionet e dialogut ekonomik-financiar

3 vite më parë

Miratohen konkluzionet e dialogut ekonomik-financiar

Ministri në largim i Financave Avdullah Hoti, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për Programin e Reformave në Ekonomi, mori pjesë në takimin ‘Economic and Financial Affairs Roundtable’, ku së bashku me ministrat tjerë të Rajonit të Ballkanit dhe Turqisë miratuan konkluzionet e përbashkëta të këtij dialogu.

“Programi për Reforma në Ekonomi paraqet nivel të rëndësishëm të komunikimit mes Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit Kosova raporton mbi Qeverisjen Ekonomike sipas Procesit të Semestrit Evropian i cili synon të përgatisë vendet pjesëmarrëse për arritjen e kritereve të Kopenhagës. Ky dialog është shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet përafrimi i qeverisjes ekonomike të shteteve kandidate me atë të BE-së”, thuhet në komunikatë të MF-së.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se përkushtimi dhe angazhimi politik nga të gjitha shtetet e rajonit, është kyç për përmbushjen e obligimeve që dalin nga ky proces, dhe u evidentua që ato vende që kanë iniciuar reforma ambicioze janë ato vende që kanë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

“Kosova qëndron mirë krahasuar me rajonin në çështjet si niveli i borxhit publik dhe niveli i kredive jo-performuese, ndërkaq mbetet të punohet më tepër në mbikëqyrjen e rregullave fiskale në fuqi. Rajoni në përgjithësi duhet të punojë më tepër në luftimin e ekonomisë joformale, reformimin e sektorit të energjisë, si dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës- veçanërisht punësimin e rinisë”, u tha në takim.

Përfaqësuesi nga Banka Qendrore Evropiane thekson rëndësinë e aprovimit të kornizave makroprudenciale, gjë që Kosova e ka bërë së fundmi, ndërkaq duhet të vazhdohet me avancimin e instrumenteve analitike në shërbim të Bankave Qendrore.

Vlerësimi i ERP-së dhe rekomandimet përkatëse do të publikohen në faqen zyrtare të Komisionit Evropian pas datës 23 maj, kur planifikohet të miratohen konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare./AktivPress