Ministrja Dumoshi mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar shkrimtarit Musa Ramadani

4 javë më parë

Ministrja Dumoshi mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar shkrimtarit Musa Ramadani

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar shkrimtarit Musa Ramadani.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të ministres Dumoshi.

E dashur familje e Musa Ramadanit,

Të dashur miq dhe kolegë të shkrimtarit,

Sot jemi bashkuar për t’i dhënë lamtumirën një shkrimtarit të madh dhe një stilisti të shkëlqyer, një shkrimtari të veçantë, që me frymën e tij dhe stilin origjinal i ka dhënë jetë e dinjitet kulturës së Kosovës.

Musa Ramadani përgjatë jetës së tij krijoi shumë vepra të bukura letrare, në shumë gjini dhe me to ngrohu zemrat e lexuesve shqiptarë.

Dhe sot pa të, fjala shqipe është më e varfër, Prishtina më pak humane, kurse komuniteti i njerëzve të letërsisë ndjehet te piklluar nga ikja e njërit prej shkrimtarëve më të mirë dhe më të  veçantë.

Musa Ramadani është shkrimtar i lexuar dhe përkthyer, i studiuar  me çmime e vlerësime të shumta, i përfshirë në shumë antologji të poezisë, gjë që dëshmojnë peshën e madhe të veprës së tij.

Ai ka lënë pas vete një vepër të madhe dhe sot kur po ndahemi me të fizikisht, fillon jetën e përjetshme vepra e tij letrare, si frymë e kulturë identitare, idetë e tij estetike, të transmetuara me stil mahnitës në shumë libra me peshë.  Pra, prej sot fillon jetën shkrimi i tij, për çka ai jetoi dhe me çka ishte i mishëruar.

Veprimtaria letrare e Ramadanit është trashëgimi e pasur e historisë moderne të Kosovës, dhe si i tillë do të vlerësohet prej ministrisë së Kulturës.

Ne e kemi për detyrë që të ndjekim rrugën e trasuar prej shkrimtarëve si Musa Ramadani, që u bënë dritë për Kosovën.

Ne e kemi për detyrë dhe përgjegjësi që veprën e tij ta lexojmë dhe ta bartim te brezat e ri, si një vepër me vlerë.