Ministria e Mbrojtjes “godet” buxhetin me shpenzime luksi

4 javë më parë

Ministria e Mbrojtjes “godet” buxhetin me shpenzime luksi

“Armata politike” e Ministrisë së Mbrojtjes i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi gjysmë milioni euro, për më pak se dy vjet. Shpenzimet veç e veç të eprorëve të këtij institucioni Ministria i ka fshehur, shkruan sot Koha Ditore.

Mbështetur në një përgjigje të shkruar që Ministria e Mbrojtjes ia ka përcjellë gazetës pas një kërkese për qasje në dokumente publike, është 570.532 euro totali i shpenzimeve për ministrin, zëvendësministrat, këshilltarët politikë dhe për stafin tjetër mbështetës. Në këtë shumë nuk janë përfshirë edhe shpenzimet e bëra gjatë katër muajve të parë të mandatit, shator-dhjetor 2017.

Kësisoj, nga janari i 2018-s e deri në gushtin e 2019-s vetëm për paga janë shpenzuar 371.522 euro. Krahas tyre, stafi politik ka arkëtuar edhe 9287 euro si mëditje.

Paria e Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka kursyer as në dreka e darka. Brenda 20 muajsh në reprezentacion ka harxhuar 29.420 euro.

Bazuar në një dokument të siguruar më herët, e që përmban shpenzimet vetëm të 2018-s, evidencohet e dhëna se për reprezentacion asnjë zyrtar nuk e ka rrudhur dorën. Të gjitha të dhënat për këtë kategori flasin për shpenzime të bëra vetëm në bufe. Për një vit, stafi politik ka lënë aty saktësisht 14.110.40 euro.