Ministria e Jashtme dënon arrestimin e një shtetasi kosovar në Serbi

1 muaj më parë

Ministria e Jashtme dënon arrestimin e një shtetasi kosovar në Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj, ka thënë se ministria që drejton ajo dënon ashpër arrestimin e shtetasit kosovar, Agim Gjocaj, nga Serbia.

Ajo ka thënë se Gjocaj është arrestuar gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë.

“MPJD kërkon nga Serbia lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt, i cili po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj. Po ashtu, theksojmë se akuzat e pretenduara ndaj tyre janë të pabaza, të qëllimshme dhe të motivuara politikisht”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Më 1 korrik, Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë për krime lufte, kundër shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, vëllai i të akuzuarit, Valon Mehmetaj.

Ministrja Haradinaj-Stublla i ka kërkuar Brukselit dhe shteteve të Quintit (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara), që të adresojnë këtë shqetësim tek autoritetet në Beograd, për ta ndalur një praktikë e tillë.

“Politika e vjetër e Serbisë me në krye (v.j. presidentin serb, Aleksandar) Vuçiqin, vazhdon të sillet në shpërputhje me të gjitha vlerat evropiane ku aspirojnë dhe në kundërshtim me deklaratat që bëjnë përpara faktorit ndërkombëtar për kinse ‘angazhim e gatishmëri’ drejt procesit të normalizimit të plotë me Kosovën dhe fqinjësi të mirë në rajon. Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste”, ka deklaruar mes tjerash ajo.