Ministria e Infrastrukturës planifikoi tender njëmilionësh pa kritere të matshme për kompanitë konkurruese

2 muaj më parë

Ministria e Infrastrukturës planifikoi tender njëmilionësh pa kritere të matshme për kompanitë konkurruese

Pa kritere të përcaktuara për kapacitetet ekonomike dhe financiare, si dhe pa kërkesa mbi mundësitë teknike dhe profesionale, Ministria e Infrastrukturës ka dashur të bëjë përzgjedhjen e një kompanie për tenderin me titull “Furnizimi dhe montimi i ndriçimit në rrugët rajonale”, vlera e paraparë e të cilit është 1 milion e 160 mijë euro.

Mospërcaktimi i këtyre kritereve ka bërë që Organi Shqyrtues i Prokurimit të obligojë Ministrinë e Infrastrukturës që të përmirësojë dosjen për këtë tender. Gjykata e Tenderëve ka kërkuar që gjatë plotësimit të dosjes, Ministria e Infrastrukturës të vendosë kritere të matshme për këtë procedurë tenderuese, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Obligohet Autoriteti Kontraktues të bëjë përmirësimin e dosjes së tenderit dhe zgjatjen e afatit për dorëzimin e ofertave konform nenit 53.7 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Gazeta ka kërkuar sqarime lidhur me arsyet e mospërcaktimit të këtyre kritereve nga Zyra për medie e Ministrisë së Infrastrukturës, por të martën ata nuk kanë kthyer përgjigje.