Ministri Krasniqi kërkon nga inspektoratet komunale bashkërendim të aktiviteteve inspektuese

3 ditë më parë

Ministri Krasniqi kërkon nga inspektoratet komunale bashkërendim të aktiviteteve inspektuese

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, së bashku me Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë mbajtur takim me inspektoratet komunale për të koordinuar aktivitetet inspektuese në nivel qendror dhe lokal për të parandaluar përhapjen e pandemisë me Covd 19.

Krasniqi kërkoi nga të gjithë akterët që t’i respektojnë udhëzimet e manualit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në çdo nivel dhe kjo mundësisht të bëhet në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, transmeton AktivPress.

Më tej, Krasniqi u shpreh: “Ne si ministri, javë më parë, kemi lëshuar urdhëresë për gastronomë, ku frekuentimet e qytetarëve janë më të mëdha, e cila nuk është duke u zbatuar sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe urdhëresave institucionale. Prandaj për të mos ardhur deri te mbyllja e lokaleve shërbyese të gasronomisë është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë”.

Ai kërkoi nga mekanizmat komunalë që të respektojnë urdhëresat, udhëzimet dhe rekomandimet e institucioneve për parandalimin e Pandemisë COVI-19, sepse në shumicën e komunave këto urdhëresa dhe udhëzime nuk janë prezantuar te gastronomët dhe se për këtë jemi të gatshëm t’i mbështesim institucionet lokale në shpërndarjen e këtyre udhëzimeve në mënyrë që informimi të shkojë deri tek bizneset. Prandaj, sipas ministrit, kërkohet bashkëpunim për të mos pasur mbyllje të lokaleve dhe restoranteve.

Ministri Krasniqi theksoi se do të ishte i nevojshëm edhe formimi i task-forcës për të qenë 24 orë në shërbim dhe në siguri të qytetarëve. Ai ka vlerësuar se numri i inspektorëve është i vogël karshi situatës së krijuar nga Covid-19, duke bërë të ditur se tashmë këtë çështje e kanë futur edhe në programin e Qeverisë.

Po ashtu, ministri bëri thirrje që këto ditë të punohet edhe jashtë orarit të punës. “Të mobilizohemi që këto udhëzime të zbatohen në përpikëri në mënyrë që të bëhet parandalimi dhe rritja e numrit të të prekurve nga virusi Covid-19, kur dihet tashmë se do të kemi edhe ardhjen e bashkatdhetarëve në pushime në Kosovë, ku mundësitë janë edhe më të mëdha për infektime në frekuentime të lokaleve”, tha ministri Krasniqi.

“Ne do të jemi në mbështetje të bizneseve dhe të qytetarëve në përgjithësi, duke u koordinuar me të gjithë mekanizmave inspektues dhe mbikëqyrës për të parandaluar mundësinë e përhapjes së infektimeve me Covid 19”, pohoi ministri Krasniqi.

Ndërsa Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, theksoi se qeveria bashkë me komunat kanë hartuar manualin në luftën kundër virusit dhe se kanë zbatuar të gjitha urdhëresat e nivelit qendror, duke u koordinuar që së bashku me nivelin qendror t’i bashkërendojë aktivitetet me nivelin lokal sa i përket inspektimit./AktivPress/