Ministri Bytyqi ankohet se po shantazhohet

3 muaj më parë

Ministri Bytyqi ankohet se po shantazhohet

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se vazhdon të pranojë shantazhe nga individë të ndryshëm.

Në një prononcim për KALLXO.com, ministri Bytyqi tregoi se këto raste po i paraqet në organet e drejtësisë.

“Për shantazhet e tilla dhe shumë të tjera tashmë janë duke u marrë organet kompetente”, deklaroi Bytyqi, i pyetur nëse janë të vërteta përmbajtjet e një bisede mes tij dhe një personi, të cilën dje e prezantoi zyrtari i kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, në një konferencë të thirrur për media pas akuzave nga ministri për shantazh e presione nga ana e këtij kolegji.

Ministri i konfirmoi këto biseda përmes emailit me një ish-punonjëse të kabinetit të tij.

Përmbajtjen e këtyre bisedave e bëri publike Avni Mazrreku dje pasdite.

Në njërin nga mesazhet, ministri Bytyqi i kishte thënë ish-punonjëses së kabinetit të tij se i kishte dërguar dy persona për të folur me prindin e saj.

“Sot vijnë dy vetë me folë me babin tënd, pastaj e shohim tutje!”, shkruhej në email-in e dërguar nga ministri.

Ndërsa, në të dytin me po të njëjtën ish-punonjëse të kabinetit të tij i kishte thënë se do të takohet personalisht me babanë e saj që të diskutojnë për presionin që po e ushtron ajo ndaj tij dhe të afërmve të tij.

Në fund të email-it ministri kishte shkruar se nuk do të toleronte “maltretimet” që po i bëhen nga ana e saj.

“Vazhdo ti mos u ndal, unë do të takohem me babin tënd që të bisedoj për presionet që je duke mi bërë mua dhe të gjithë njerëzve që i njohë. Nëse edhe familjen e ke kështu të pa përgjegjshme kalojmë në një rrafsh tjetër. Mendon ti se të toleroj ty me më maltretu çdo ditë?”, thuhej më tej në email.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi para dy ditësh kishte thirrur një konferencë për media për të bërë publike presionet dhe shantazhet që sipas tij po i bëhen nga Kolegji ISPE në lidhje me mosakreditimin e disa programeve të këtij kolegji./kallxo.com