Minatorët e ‘Trepçës’ reduktojnë kërkesat

2 muaj më parë

Minatorët e ‘Trepçës’ reduktojnë kërkesat

Minatorët e “Trepçës” kanë vazhduar grevën e tyre të nisur më 3 janar edhe të mërkurën.

Këshilli Grevist, i cili ka pasur një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri, ka insistuar që kërkesat të cilat janë paraqitur për t’u plotësuar nga Qeveria e Kosovës të plotësohen menjëherë, në të kundërtën janë kërcënuar se greva do të përshkallëzohet.

Nuk përjashtohet mundësia që minatorët të ngujohen në zgafelle, por edhe mundësia që ata të shkojnë në këmbë në Prishtinë dhe të bëjnë grevë para Kryeministrisë.

Nga katër kërkesat që paraprakisht kishin paraqitur për t’u plotësuar, tash ata insistojnë në dy prej tyre që të plotësohen menjëherë: rritjen e pagave 20 për qind dhe shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës.

Ministri Lluka dhe kryetari Bahtiri janë përpjekur që të arrijnë një marrëveshje me minatorët grevistë, por nuk kanë arritur që t’i bindin ata që ta ndërpresin grevën.