Milionëshi i papaguar i komunës së Deçanit

2 vite më parë

Milionëshi i papaguar i komunës së Deçanit

Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin për vitin 2016 ka identifikuar borxh të madh të Komunës së Deçanit ë lidhje me obligimet e papaguara të saj.

“Shuma e obligimeve të papaguara prej 1,206,527€ në fund të vitit 2016, gati ishte e njëjtë me atë të vitit të kaluar (1,249,000€). Përveç këtyre shumave të larta të obligimeve të konfirmuara, komuna përballet edhe me detyrime kontingjente në vlerë prej 40,000€. Këto detyrime ngarkojnë drejtpërsëdrejti buxhetin e vitit 2017 dhe paraqesin një sfidë serioze për buxhetin vjetor”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit bën të ditur së në pesë raste faturat nuk ishin paguar brenda afateve ligjore nga Komuna e Deçanit.

“Sipas Rregullës Financiare 01-2013 MF – Shpenzimi i Parave Publike, organizata buxhetore duhet që çdo faturë të vlefshme për pagesë ta paguajë brenda 30 ditësh kalendarike nga data e pranimit të faturës. Në pesë (5) raste të testuara, obligimet në vlerë 21,415€ nuk ishin paguar në afatin ligjor”, thuhet në raport.

Niveli i lartë i borxheve rrezikon buxhetin dhe reputacionin e komunës, sipas raportit të auditorit.

“Niveli i lartë i obligimeve të papaguara dhe rritja e obligimeve kontingjente, shton rrezikun që buxheti të jetë subjekt i ekzekutimeve direkte nga MF dhe vendimeve gjyqësore, por edhe në dëmtimin e reputacionit të komunës”, tregohet në raport.

Parregullsitë në prokurim

Parregullsi auditori gjeti edhe te tenderët e dhënë nga Komuna e Deçanit.

“Një faturë ishte paguar në vlerë paushalle 6,840€ për kontratën ‘Tërheqja e Automjeteve të Konfiskuara nga Policia në Komunën e Deçanit’ duke mos specifikuar sasinë, çmimin për njësi dhe shumën totale sipas kontratës. Po ashtu, kësaj kontrate i ishte zgjatë afati për një vit duke u thirrur gabimisht në nenin 35 paragrafin 2.2 të Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës, ndërsa ky nen e trajton punën shtesë, e jo vazhdimin e kontratave”, sqaron raporti.

Auditori gjeti edhe shpenzime shumë të larta të lëndëve djegëse në raport me parashikimin në tender.

“Komuna kishte lidhur kontratë për furnizim me lëndë djegëse 67,000 litra. Me datën 10.05.2016 kishte lidhur aneks kontratë edhe për 6,700 litra apo gjithsej 73,700 litra. Shpenzimet me derivate për periudhën që mbulohet me kontratë prej 09.11.2015 – 09.11.2016 ishin 193,870 litra, pra sasia e kontraktuar ishte tejkaluar për 120,170 litra”, tregon raporti i Zyrës së Auditorit.

Sipas auditorit, tejkalimi i shpenzimeve dhe faturat me çmime paushalle rrisin rrezikun për keqmenaxhim dhe hyrje në obligime pa mbulesë.

Lejet e ndërtimit pa përfillje

Raporti i Zyrës së Auditorit ka gjetur parregullsi edhe rreth lejeve të lëshuara të ndërtimit.

“Në bazë të Ligjit të Ndërtimit, leja ndërtimore lëshohet nëse aplikuesi ka paraqitur dëshmi të pagesës së taksës së lejes ndërtimore. Në dy nga gjashtë mostrat e testuara, ne kemi konstatuar se leja ndërtimore është lëshuar edhe pse pagesa e taksës ndërtimore nuk është bërë në tërësi“, thuhet në raportin e vitit 2016 për Komunën  e Deçanit.

Tutje raporti bën të ditur se nuk janë respektuar as afatet ligjore për shqyrtimin e lejes ndërtimore.

Sipas raportit të auditorit Komuna e Deçanit për shqyrtimin e një lejeje ndërtimore ishte vonuar 136 ditë.

“Gjatë testimeve tona, kemi vërejtur se në një (1 ) nga gjashtë (6) rastet e testuara, nuk është respektuar afati ligjor për shqyrtimin e lejes ndërtimore. Ligji i Ndërtimit në fuqi, vendos afatin prej 45 ditëve për shqyrtimin e lejes ndërtimore të kategorisë së II-të, duke numëruar ditët që nga pranimi i kërkesës. Vonesa në shqyrtimin e lejes ndërtimore në fjalë ishte 136 ditë”, tregon auditori.

Këto veprime me lejet e ndërtimit sipas raportit krijojnë mundësi dhe rrezik të cenimit të standardevetëe ndërtimit dhe ambientit përreth.

Angazhimi i personave me kontrata mbi shërbime

Gjatë vitit 2016 Raporti i Zyrës së Auditorit tregon se Komuna e Deçanit kishte angazhuar 12 persona me kontrata mbi vepër.

“Komuna gjatë vitit 2016 kishte angazhuar 12 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta. Asnjërit prej të angazhuarve nuk i ishte ndalur tatimi në burim, siç përcaktohet me Ligjin Nr. 05-L-028”, sqaron raporti.

Zyra e auditorit konstaton se komuna mund të ndëshkohet për mosndalim të tatimit në burim.

“Kjo rrit rrezikun që komuna të jetë subjekt i ndëshkimeve nga autoritetet tatimore, si pasojë e mosndaljes së tatimit në burim për këta persona”, thotë auditori.

Shfrytëzimi i veturat zyrtare

Zyrtarët komunalë të Deçanit gjatë shfrytëzimit të veturave zyrtare nuk mbajnë fare fletudhëtime, tregon raporti i auditorit.

“Ne kemi rishikuar tri (3) mostra për shfrytëzimin e veturave dhe në dy (2) nga këto kemi vërejtur se nuk mbahen fare fletudhëtime dhe shënime për shfrytëzimin e veturave, siç kërkohet nga Udhëzimi Administrativ nr.03 /2008 për Menaxhimin e Automjeteve zyrtare”, tregon raporti i Zyrës së Auditorit.

Auditori konstaton se mospasja e fletudhëtimeve mund të rrisë shpenzimet e derivateve.

“Mungesa e raportimit për mënyrën e përdorimit të automjeteve, rrit rrezikun që automjetet të përdoren edhe jashtë objektivave zyrtare dhe mund të shkaktojë shpenzime të larta/të paarsyeshme për derivate, servisim dhe mirëmbajtje”, thuhet në raport.

Ndarja e subvencioneve pa kritere

Subvencionet në Komunën e Deçanit ndahen pa kritere në mungesë të rregullores nga komuna për ndarjen e tyre.

“Komuna edhe këtë vit nuk ka arritur të nxjerrë rregullore të brendshme për ndarjen e subvencioneve. Bazuar në mostrat e testuara, kemi vërejtur se në mungesë të rregullores, shumica e subvencioneve janë ndarë në bazë të vendimeve të Kryetarit të Komunës”, tregon raporti.

Auditori ka ardhur në përfundim se ndarja në këtë mënyrë e subvencioneve shkakton paqartësi për ata që kanë të drejtë t’i përfitojnë ato./kallxo.com