Michelle Obama-Të bëhesh (…për shkak të burrit)

3 muaj më parë

Michelle Obama-Të bëhesh (…për shkak të burrit)

Nga Jetona Koçibelli

Sigurisht që libri “Të Bëhesh” i Michelle Obama-s ka pasur shumë bujë. Rekord shifrash në shitje, një promovim gjithandej globit, një e shkruar në mënyrë të thjeshtë e populiste, pa ojna. Vetë Michelle ka marrë auditoret me radhë për ta promovuar atë. “Vogue” poston fotot me të cilat ajo zgjedh të ishte e veshur në setin e kopertinës.

Një “casual look”, me xhinse e një Tshirt të thjeshtë të bardhë me një jakë që zbulon supin e saj. Pastaj edhe vetë bashkëshorti i saj, ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama nuk i ka kursyer komentet në rrjetet e tij sociale rreth krijeses së gruas së tij. Kurioziteti më tepër për rrëfime të vogla e personale qe ajo që më nxiti ta lexoj, po aq edhe dëshira për të njohur më mirë ish Zonjën e Parë. Me thënë të drejtën prisja më shumë.

Ku është Michelle kaq avokate e zonja, apo e duartrokitur si një rock star? Ne fakt ajo e braktisi karrierën e saj si avokate. Dhe kjo ndodhi pasi kishte mbaruar dy shkollime për këtë në Princeton University dhe Harvard, e pasi punoi disa vite ne këtë profesion, e kuptoi që nuk bënte për të. Edhe promovimi i saj në punën që kishte në Spitalin e Cikagos, u bë gjatë kohës që ishte marë vesh që Barack Obama, do të kandidonte për President të SHBA-ve dhe me gjasë rinia ishte me të. Media kritike e vuri në dukje këtë fakt, por mund të jetë edhe spekulim.

Për hir të së vërtetës ajo ka qenë e sinqertë kur pranon që kritikat për të ishin të tipit: I mungon eleganca dhe hijeshia që i duhet një Zonje të Parë. Gjë që është e diskutueshme, por mund të jetë edhe e vërtetë, sepse shpesh njerëzit e kanë parë me skepticizëm dhe pak ironi figurën e saj përkrah Barackut.

Megjithatë përtej pamjes, gjë e cila patjetër është e rëndësishme për pozicionin e saj, Ajo trumpetoi se ishte një grua e fortë, një grua që nuk pranonte të bënte thjesht kukullën, por të ngrinte zërin e saj dhe t’ju fliste grave kudo që ta përdornim fuqinë e zërit të tyre. Prisja me ëndje të shihja ku ishte e gjithë kjo fuqi. Nuk e gjeta! Përvec asaj që tha përgjatë fushatës para se bashkëshorti i saj të bëhej President, që ajo do të vazhdonte të ishte një supermama, asgjë e re.

Zonjat e Para dallohen nga shenja që lenë në historinë e shtëpisë muze, Shtëpisë së Bardhë. Jackie Kennedy e reklamoi dukshëm punën e saj për ndryshimin e imazhit në rimodelimin e interierit të Shtëpisë së Bardhë, megjithëse kjo ishte një punë e madhe krahasuar me kohën e shkurtër që ajo qëndroi aty.

Michelle në tetë vjet bëri një bahce me zarzavate në Shtepinë e Bardhë (ide kjo e shefit te kuzhinës së saj). Nga një grua e fortë prisja më shumë! Prisja më shumë edhe nga një grua që e urren imazhin e kukullës, buzëqeshjes së ëmbël dhe shkëlqimit të syve tek sheh burrin e saj, por në fakt Michelle punësoi një staf të tërë njerëzish që merreshin me imazhin e saj, dhe madje u komentua gjatë për zgjedhjet tepër të shtrenjta në veshje.

Prisja të shihja edhe atë supermamën që ajo e përmendi gjatë, por që në fakt zbulova që veprimi i saj i madh ishte të blinte një kapuc bojë rozë për të voglën e saj Sashën në ditën e shpalljes së kandidaturës së Barackut, sepse temperatuat ishin disa gradë nën zero.

Këto i bluaja në mendje, sepse imazhi i mediatizuar i saj është ai i një gruaje atipike, një afro-amerikane që ka arritur më shumë se kushdo tjetër. Dhe doja t’ia atribuoja me zemër asaj këto arritje. Por sic duket, për shkak të shoqërisë, apo asaj vetë, arritjet ishin thjesht të burrit. Prandaj edhe “Të bëhesh”, do të më pëlqente t’i shtoja me një dozë shakaje prapashtesësn “ …për shkak të burrit!”

Top Channel