Meta i qon porosi Ramës: Bëre gabimin fatal, kërcënove presidentin

2 javë më parë

Meta i qon porosi Ramës: Bëre gabimin fatal, kërcënove presidentin

Rritet tensioni mes dy institucioneve më të larta të Shqipërisë, Presidencës dhe Kryeministrisë.

Përmes një postimi në facebook presidenti Ilir Meta e quajti gabim fatal kërcënimin që i është bërë nga personi i cili ka kërcënuar siç thotë kreu i shtetit edhe komisar Zaganin, mediat, pronarët e mediave, profesorë e nënkomisarë.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

Meta e mbyll postimin e tij në facebook duke nënvizuar:  Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”

Më 10 janar presidenti Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kjo nxiti dhe përplasjen publike indirekte, përmes rrjeteve sociale mes Presidentit dhe kryeministrit. Ndërkohë mësohet se mes tyre një ditë para refuzimit ka pasur dhe një takim, shkruan Oranews. Përplasjet rreth rastit Cakaj po vazhdojnë edhe në Kosovë, transmeton AktivPress.