Mësohet se ku do të transmetohet televizioni i Vetëvendosjes “TVV”

2 muaj më parë

Mësohet se ku do të transmetohet televizioni i Vetëvendosjes “TVV”

Në rrjetin social Facebook, të enjten u transmetua produkti i parë i televizionit të krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje, “TVV”.

Por, mediumi televiziv i hapur për herë të parë nga një subjekt politik në Kosovë, do të transmetohet së shpejti edhe në “Youtube”, platformën tjetër online.

“Nga sot kemi filluar me TVV. Këtë medium mund ta gjeni tash e tutje në Youtube”, ka konfirmuar përmes një postimi të shkruar në Facebook, Arianit Beqiri, asistenti i Albin Kurtit.

Televizioni i partisë së Kurtit transmetoi të enjten pasdite një intervistë të Besnik Bislimit, nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu ka thënë sot se ideja e kësaj iniciative ka qenë që të paraqesin qëndrimet e subjektit politik për çështje të caktuara.

“E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo në Klan Kosova të enjten.