Merkel për Von Der Leyenin: Humba një ministre, por fitova një partnere

1 muaj më parë

Merkel për Von Der Leyenin: Humba një ministre, por fitova një partnere

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përgëzoi shefen e saj të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, pas votimit si presidentja e parë grua e Komisionit Europian dhe qytetarja e parë gjermane që merr këtë rol që prej gjysmë shekulli.

“Ajo do të jetë presidentja e parë grua e Komisionit Europian dhe e para gjermane në krye të ekzekutivit europian për më shumë se 50 vjet”, tha Merkel në një deklaratë të tuituar nga zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.

“Ajo do të përballet me sfidat që ne në Bashkimin Europian po u përgjigjemi me energji të madhe… Megjithëse po humbas një ministre prej një kohe të gjatë, jam duke fituar një partnere të re në Bruksel”, tha Merkel.

Komentet vijnë pak pasi Parlamenti Europian konfirmoi von der Leyen si presidenten e ardhshme të Komisionit Europian.

Von der Leyen, e cila largohet të mërkurën si ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, do të pasojë Jean-Claude Juncker në krye të ekzekutivit të Bashkimit Europian më 1 nëntor, përcjell Atsh.

Ajo do të luajë një rol kyç në përcaktimin e prioriteteve politike të bllokut për pesë vitet e ardhshme duke mbikëqyrur një staf prej rreth 32 000 personash.