Menaxhmenti i KEK-ut i përgjigjet shkresës së sindikalistëve rreth masave anti-covid

2 javë më parë

Menaxhmenti i KEK-ut i përgjigjet shkresës së sindikalistëve rreth masave anti-covid

Nëpërmjet një shkrese që i është drejtuar Bordit, ushtruesit të detyrës së drejtorit menaxhues dhe të gjithë drejtorëve të tjerë, Sindikata e Re e KEK-ut ka alarmuar se qe një muaj mungojnë mjetet mbrojtëse kundër pandemisë, siç janë: maskat, dorëzat dhe dezinfektuesit.

“Sindikata e Re e KEK-ut i ka marrë me shqetësim rastet e vdekjeve të punëtorëve të KEK-ut javën e kaluar nga pandemia Covid-19, si dhe kohëve të fundit ka raste të shumta të punëtorëve të prekur me virusin Covid-19. Kërkojmë nga ju që punëtorët me urgjencë të pajisen me maska, dorëza dhe dezinfektues, ku këto pajisje mbrojtëse nga pandemia Covid-19 mungojnë qe një muaj”, thuhet në shkresën e drejtuar udhëheqësve të KEK-ut, të cilën AktivPress e ka publikuar një ditë më herët.

Ndërkohë, sot menaxhmenti i KEK-ut i është përgjigjur shkresës së SR-KEK-ut.

Përgjigjja është si në vijim:  

I nderuari z. Sadiku,

Duke ju referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se menaxhmenti i KEK-ut ka trajtuar me shumë kujdes edhe një kërkesë të tillë me përmbajtje të ngjashme që keni dërguar kohë më parë. Mirëpo, duhet theksuar se e njëjta nuk ka rezultuar ashtu siç ju pretendoni. Në këtë drejtim, ju bëjmë me dije se menaxhmenti kishte kërkuar që menjëherë të aktivizohet kontrolla e brendshme (ZEPIO) për ta vërtetuar se a janë apo jo të furnizuar të gjithë punëtorët e korporatës me maska mbrojtëse.

Rezutati i këtij hetimi ka treguar se të gjithë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës janë të furnizuar me nga dy maska (shumë përdorimëshe) dhe ato janë duke u bartur nga punëtorët. Po ashtu kontrolla e brendshme ka treguar se disa prej punëtorve ju kanë dëmtuar maskat dhe për këtë ne kemi udhëzuar që secili punëtorë duhet ti dorzojë maskat e dëmtuara dhe të furnizohet me të reja. Nga kjo kontroll ka rezultuar gjithashtu se punëtorët e sigurimit fizik nuk po i bartin pajisjet mbrojtëse për Covidit-19, për të cilën menjëherë janë ndërmarr masat për ta adresuar këtë problem tek OE i sigurimit fizik.

Nga të gjeturat e kontrollës së brendshme, po ashtu ka rezutuar se ka mungesë të dezinfektuesve, me ç’rast Komiteti Sigurise dhe Drejtorët Ekzekutiv të Divizioneve ishin obliguar për t’i furnizuar divizionet e tyre. Me sa është raportuar shumica divizioneve tashmë janë furnizuar edhe me desinfektues.

Po ashtu hetimi ka rezultuar se ka mungesë të pajisjeve personale në punë, andaj siç e dini edhe ju ne këtë çështje e kemi në proces të prokurimit dhe priten rezultatet, ndërsa sa i përket rrobave të punës ashtu siç edhe jeni njoftuar në takimin me menaxhmentin e KEK-ut ne kemi inicuar një kërkes të veçantë, fillimishtë për dizajnimin e tyre dhe me pas prodhimin e tyre.

Për më tepër, sa i përket dezinfektimit të hapsirave të KEK-ut, ne kemi kontratë për dezinfektimin e rregullt të të gjitha objekteve (dhe automjeteve të transportit), prandaj në rast se një gjë e tillë nuk është duke u ndërmarr nga zyrtarët përgjegjës që kanë obligim të inicojnë kërkesat apo nëse kontrata nuk është duke u respektuar nga OE, është obligim i të gjithë punëtorëve por edhe i juaji si sindikatë që të paraqitni rastin.

I nderuar, korporata është duke e përcjellur me shumë kujdes dhe nga afër situatën si dhe është e brengosur tejmase për humbjen e tre kolegëve tanë nga ky virus. Por ajo që ne kërkojmë edhe nga ju si sindikat e RE e KEK-ut, është që edhe ju të ndihmoni duke I njoftuar anëtarët e juaj që mbrojtja dhe kujdesi nga ky virus mos të bëhet vetëm brenda korporatës por edhe jashtë saj, sepse siç e dini edhe ju, virusi nuk ishte ne korporatë por u sollë nga jashtë.

Me respekt,
Menaxhmenti i KEK-ut

AKTIV PRESS