Memorandum bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës, komunës së Prishtinës dhe Odës Ekonomike

4 javë më parë

Memorandum bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës, komunës së Prishtinës dhe Odës Ekonomike

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim krijimin e lidhjeve të bashkëpunimit në mes palëve nënshkruese.

Palët janë dakorduar për themelimin e Qendrës UP4COMP, e cila do të institucionalizohet përmes vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

“Kjo qendër do të shërbejë si qendër e kompetencave dhe si institucioni kryesor që do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet palëve nënshkruese. Kjo lidhje ndërmjet dijes (botës akademike), sektorit publik dhe komunitetit të biznesit është një parakusht për sigurimin e suksesshëm të arsimit dhe aftësimit cilësor, për një qytet inovativ, universitet sipërmarrës, biznese me përgjegjësi të lartë shoqërore dhe përafrimin e arsimit me nevojat e tregut. Palët do të bashkëpunojnë me qëllim që të sjellin qasje të re dhe të struktuar për përkrahjen dhe zhvillimin e arsimit të lartë dhe të arsimit e aftësimit profesional” u tha në komunikatë.

Ndërsa, Qendra UP4COMP do të përkrahë dhe lehtësojë bashkëpunimin e strukturuar institucional mes palëve nënshkruese për harmonizimin e arsimit të lartë me tregun e punës, duke ndërtuar modele konkrete të bashkëpunimit me ekonominë dhe industrinë.

Gjithashtu nënshkruesit e këtij memorandumi u zotuan se secila palë do t’i marrë përsipër përgjegjësitë të cilat do t’i zbatojnë me qëllim të realizimit sa më të mirë dhe efikas të këtij memorandumi, transmeton Klan Kosova.