Mediat e huaja shkruajnë për arrestimin e mjekëve kosovarë për trafikim organesh

5 ditë më parë

Mediat e huaja shkruajnë për arrestimin e mjekëve kosovarë për trafikim organesh

Prestigjiozja Daily Mail ka shkruar për rastin e arrestimit të katër mjekëve nga policia e Kosovës. Katër mjekët, dy femra dhe dy meshkuj, janë arrestuar për arsye të trafikimit të organeve.

Mjekët janë arrestuar të enjten gjatë një bastisje në një klinikë private në Prishtinë, transmeton Express.

Një nga katër të dyshuarit është lëshuar, ndërsa tre të tjerët do mbesin në paraburgim, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.

Në provat që janë marrë nga policia përfshihen kopje të dokumenteve mjekësore dhe dokumenteve tjera.

Asnjë detal tjetër nuk është dhënë nga policia. Transplantet e organeve janë ilegale në Kosovë.

Mediumi anglez gjithashtu përmend edhe për burgosjen e dy mjekëve majin e kaluar për shitje të veshkave tek pacientët e pasur për shifra deri në 100 mijë euro.

Dy mjekët kanë performuar operacione në dhurues të veshkave që janë sjellë në Kosovë nga Turqia, rusia, Moldavia dhe Kazakistani.

Veshkat janë marrë dhe janë shitur pacientëve, të cilët kanë qenë përgjithësisht izraelit. Dhuruesve iu është dhënë vetëm nga 15 mijë euro.

Urologjisti Lutfi Dervishi dhe anesteziologu Sokol Hajdini janë burgosur për shtatë vjet e gjysmë dhe një vjet respektivisht, transmeton Gazeta Express. Dy të fundit kishin punuar në klinikën Medikus në Prishtinë.

Policia bastisi klinikën në vitin 2008 pasi një person turk, veshkat e të cilit ishin marrë në një ndërhyrje kirurgjike, kolapsoi në aeroportin e Prishtinës derisa ai po priste avionin që të kthehej në Turqi. /Express