Më 12 shtator nënshkruhet marrëveshja 50 milionëshe për Kosovën

2 vite më parë

Më 12 shtator nënshkruhet marrëveshja 50 milionëshe për Kosovën

Kryeministri në detyrë  Isa Mustafa, më 12 shtator në Uashington, do të nënshkruajë Marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Sipas Qeverisë, nga ky program Kosova përfiton 50 milionë dollarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me partnerët e SHBA-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për finalizimin e kësaj marrëveshje, që në të ardhmen do të realizohet në bashkëpunim me organet qeveritare, bizneset dhe shoqërinë civile”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Këto mjete, sipas Qeverisë do të investohen në vitet e ardhshme në projekte të efiçiencës energjetike, ambientit dhe sundimit të ligjit.

Qeveria e Kosovës me 21 qershor të këtij viti është njoftuar nga Bordi i Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit se kjo agjenci federale amerikane ka marrë vendimin për ndarjen e afro 50 milionë dollarëve për programin “Threshold” në Kosovë./AktivPress