Mbyllen fabrikat e përpunimit të vajrave në Mitrovicë

7 muaj më parë

Mbyllen fabrikat e përpunimit të vajrave në Mitrovicë

Inspektorët e Komunës së Mitrovicës sot kanë ndërprerë punën në dy fabrika të këtij qyteti, veprimtaria e të cilave është përpunimi i vajrave motorike.

Kjo për shkak se sipas inspektorëve, përveç mungesës së dokumentacionit, këta operatorë gjatë veprimtarisë së tyre prodhojnë helme toksike dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Lidhur me këto fabrika qytetarët kishin nënshkruar edhe një peticion kundër ndotjes së ambientit

“Kemi marrë urdhër nga Kryetari, por edhe si Drejtori e Inspekcionit, jemi duke bërë inspektimin e dy fabrikave të reciklimit të gomave. Nuk kanë pëlqim nga Drejtoria e Ambientit dhe pas peticionit të qytetarëve për ndotjen e ambientit, kemi marrë vendim që t’i mbyllim përkohësisht derisa të paisen me dokumentacion përkatës nga Ministria e Ambientit dhe Drejtorisë së Ambientit. Jemi duke e bërë për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës për arsye se ndotja e ajrit ka qenë në nivel jashtëzakonisht të madh të premtën mbrëma “, tha Kryeinspektori Hysni Ahmeti

Në anën tjetër, Baki Baliu, njëri nga bashkëpronarët e kësaj fabrike, ka sqaruar se puna në këtë fabrikë aktualisht është vetëm në fazën testuese dhe jo prodhuese.

Ai bëri të ditur se Kompania ‘Sirius Eko-tek’ nga Austria, e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, ka bërë verifikimin këtu dhe ka konstatuar se nuk ka mbetje dhe as ndotje të ambientit.

“Ne nuk jemi në prodhim, por në testim. Pa u kry testimi komplet ne nuk marrim leje të prodhimit deri t’i plotësojmë të gjitha kushtet. Të gjitha kushtet janë të plotësuara, tash pritet vetëm të vinë nga Ministria e Mjedisit me na dhënë pëlqimin për prodhim. Kompania ‘Sirius Eko-tek nga Austria e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, kanë qenë këtu dhe kanë bërë verifikimin. Nuk ka asnjë mbetje, e kemi edhe me shkrim.”, theksoi Baliu.

Ndryshe, qytetarët e disa lagjeve të jugut dhe veriut të Mitrovicës, si ‘Lagjes së Boshnjakëve’, ‘2 Korriku’ dhe të Shupkovcit, përveç se protestuan disa herë në të kaluarën, ata kanë nënshkruar edhe një peticion për ndërprerjen e punës së këtyre operatorëve, për shkak të ndotjes së ambientit, respektivisht të ajrit nga operatorët.

Sipas tyre, këta operatorë zakonisht punojnë ditëve të festave, të shtunave e të dielave, si dhe natën vonë kur ka mjegull dhe të reshura, për t’iu ikur syve të inspektorëve të Komunës./kallxo.com