Mbi 300 milionë euro eksportet e Shqipëri të produkteve bujqësore

1 javë më parë

Mbi 300 milionë euro eksportet e Shqipëri të produkteve bujqësore

Bujqësia në Shqipëri shënoi rekord të prodhimit dhe eksporteve vitin e kaluar, duke prekur për herë të parë shifrën e mbi 300 milionë euro eksporte.

Tashmë bujqësia bashkë me agropërpunimin janë shndërruar në motor të ekonomisë së vendit dhe sektorët me prodhimin më të lartë në vend, duke kontribuar fuqishëm në rritjen e përgjithshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019 Shqipëria eksportoi 36 miliardë lekë eksporte bujqësore, duke kaluar për herë kufirin e 300 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2018, vëllimi i eksporteve shqiptare është rritur me 9%.

Të nxitur nga lehtësitë fiskale, politikat e mbështetjes financiare përmes Skemave Kombëtare dhe Programit IPARD II, fermerët dhe biznesi i janë rikthyer aktivitetit bujqësor duke zgjeruar sipërfaqet e mbjella, rritur prodhimin, eksportet dhe të ardhurat në ekonomitë rurale. Risia e mbështetjes së agroturizmit, politika e rajonalizimit, ngritja e një zinxhiri pikash të grumbullimit dhe buxheti i rritur disa herë për vaditjen dhe kullimin, janë faktorë të tjerë që i japin një dimension të ri zhvillimit të këtij sektori.

Gjatë pesë viteve të fundit, sipas statistikave, eksportet bujqësore u dyfishuan, duke kaluar nga 140 milionë euro, në më shumë se 300 milionë.

Bujqësia dhe agroindustria janë dy nën sektorët me rritjen më të lartë të vitit, secili me mbi 11%.

Sipas statistikave, eksporti i zarzavateve, u rrit me 40% gjatë vitit të kaluar, i ndjekur nga pjepri dhe shalqiri që u rrit me 21%, peshku i tharë dhe bimët medicinale, me mbi 8% rritje secili.

Një rritje të ndjeshme ka arritur edhe sektori shqiptar i prodhimit të ujit mineral, ku ujërat natyralë janë rritur me 31% ndërsa ujërat me sheqer me plot 57%.

Rritja e prodhimit ka bërë të mundur që vit pas viti, raporti midis eksport-importit të rritet në favor të të parit. Edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë një vend importues, raporti është ngushtuar sërish në 1:3.2.

Një tregues i tillë, deri në vitin 2014 ka qenë rreth 1 me 7. Pra për çdo lek produkt bujqësor të eksportuar, shpenzoheshin 7 lekë për të mbuluar nevojën me mallra importi.

Të dhënat e FAO, Organizatës Botërore të Ushqimit tregojnë se Shqipëria është shndërruar në një lider të padiskutueshëm rajonal në prodhimin e domates, kastravecit dhe shalqinjve e pjeprit.

Në këto produkte, Shqipëria ka një rendiment prodhimi dhe eksporti më të lartë se ai i të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përsa i përket domates, Shqipëria pozicionet në 10 vendet e para prodhuese europiane.

Ndërsa krahasuar me tokën bujqësore në dispozicion, Shqipëria ka një rendiment prodhimi shumë më të lartë se Italia dhe Spanja, liderët që kryesojnë prodhimin bujqësor.

Në 10 produktet më të eksportuara shqiptarë, pas domateve, pjeprit, shalqinjve dhe kastravecit renditen ujërat mineralë dhe ata të gazuar, zarzavatet, agrumet, mollët dhe dardhat, bimët medicinale, lakër, lulelakër dhe zarzavate të konservuara/ATSH