Mbante burgun për vrasjen e dy vëllezërve, vdekja e të burgosurit 78-vjeçar në spitalin e Pejës

2 muaj më parë

Mbante burgun për vrasjen e dy vëllezërve, vdekja e të burgosurit 78-vjeçar në spitalin e Pejës

Hasan Beqirit i kishin mbetur vetëm edhe 6 vjet burg për ta përfunduar dënimin e tij.  78-vjeçari ishte i dënuar për vrasje dhe po e mbante burgun qysh prej vitit 2006. Problemet shëndetësore me mushkëri e zemër bën që gjendja e tij të përkeqësohet gjë që çoi deri tek vdekja e tij mbrëmjes e së hënës në Spitalin e Pejës.

Florent Gashi, zëdhënës i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të tashmë të ndjerit.

“Personi në fjalë ishte i dënuar me 20 vite dhe po mbante dënimin  për Veprën Penale Vrasje. I burgosuri ka pasur probleme shëndetësore me mushkri dhe zemër. Kohëve të fundit ka qenë i vendosur në Qendrën Korrektuese Smrekonice. Me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore është transferuar në Stacionarin e Burgut të Dubravës, ku ka qenë duke u ekzaminuar dhe trajtuar deri  dje kur gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe nga mjeku kujdestar është udhëzuar për SP në Pejë”.

Sipas informacioneve që posedon Express, Beqiri u arrestua me 10 prill të vitit 2006 për një vrasje të dyfishtë. Ai ishte shpallur fajtor për vrasjen e dy vëllezërve Leci dhe ishte  dënuar për veprën penale, vrasje e rëndë dhe pronësi, posedim dhe kontroll ose përdorim i paautorizuar i armëve.

Gjykata e shkallës së parë e pati dënuar Beqirin fillimisht me një dënim të përgjithshëm prej njëzet e dy (22) vjetësh burgim. Pas ankesës, Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin dhe e ka dërguar rastin për rigjykim.

Trupi gjykues e pati shpallur  Beqirin sërish fajtor, duke e dënuar me njëzet e dy (22) vjet burgim. Dënimi ishte ndryshuar dhe plotësuar pas ankesës, dhe i pandehuri qe dënuar me dënim të përgjithshëm prej njëzet e pesë (25) vjetësh burgim.

Hasan Beqiri ishte i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve, Ardian Leci dhe Dritan Leci, në fshatin Babimoc, të komunës së Obiliqit. Vrasja kishte ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje lidhur me pronësinë e një ngastre bujqësore.

Në ndërkohë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar se gjatë këtij viti në burgjet e Kosovës kanë vdekur 7 persona.

“Gjatë vitit 2019 kanë vdekur 8 të burgosur, ndërsa nga fillimi i vitit 2020 e deri më tani kanë vdekur 7 të burgosur”, ka thënë Gashi.

Më tutje ai konfirmoi se në vuajtje të dënimit janë 20 të burgosur me sëmundje të rënda.

“Shkaqet e vdekjes së personave të burgosur janë të ndryshme, mosha e të burgosurve është duke u rritur, aktualisht mbi 50 persona janë mbi moshën 65 vjeçare dhe  rreth  20 të burgosur janë me sëmundje të rënda”, ka thënë ndër të tjera ai./Express