Mbahet konferenca “Ballkani Perëndimor në Tregje Globale: Mundësi të reja për Tregti dhe Investim”

1 muaj më parë

Mbahet konferenca “Ballkani Perëndimor në Tregje Globale: Mundësi të reja për Tregti dhe Investim”

Në Prishtinë, sot është mbajtur konferenca e nivelit të lartë “Ballkani Perëndimor në Tregje Globale: Mundësi të reja për Tregti dhe Investim”.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë nga OECD, si dhe përfaqësues të bizneseve.

Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, bëri hapjen e takimit dhe foli për rëndësinë e kësaj ngjarje dhe për bashkëpunimin e mirë që kemi me organizatat ndërkombëtare.

“Institucionet qeveritare vendore në bashkëpunim me OECD-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, janë duke u përpjekur për të kuptuar dhe për të ndihmuar sektorin privat. Ajo çfarë ne jemi duke bërë në këtë periudhë është që të identifikojmë sfidat e mundshme, njëkohësisht të identifikojmë praktikat më të mira dhe të punojmë për të bashkërenduar politikat vendore me ato ndërkombëtare”, tha ministrja Hajdari.

Ajo ndër tjera potencoi se si komponentë që e fuqizon bashkëpunimin rajonal është edhe ndërlidhja e investitorëve të huaj me kompanitë vendore përmes bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ekspertet e vendeve anëtare te OECD-se, me qëllim të rritjes së prodhimit dhe depërtimit në tregjet e jashtme.

Gjatë konferencës pati prezantime edhe nga përfaqësuesit e OECD-së si dhe u mbajt panel diskutues me temë “Qasja për nxitjen e suksesshme të investimeve, promovimit të eksportit dhe integrimit ekonomik”, gjatë të cilit folën përfaqësues të institucioneve dhe të bizneseve.

Konferenca është organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjik, respektivisht nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Kjo ngjarje është një vazhdim i Konferencës së nivelit të lartë të OECD-së në Poloni të mbajtur gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Poznan në korrik të vitit 2019, gjatë të cilës OECD publikoi raportin “Evropa Globale Juglindore: Çlirimi i Potencialit të Transformimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor./AktivPress/