Mary Ann, nëna që për hir të fëmijëve pranoi të quhet “gruaja më e shëmtuar në botë”

1 muaj më parë

Mary Ann, nëna që për hir të fëmijëve pranoi të quhet “gruaja më e shëmtuar në botë”

Përgatiti: Ardit Hoxhllaku

Janë vitet e para të shekullit XX.

Mary Ann Webster, nënë e katër fëmijëve, ishte në skenë midis garueseve të tjera. Shumë gra, disa të shëndosha, disa me mustaqe dhe disa me shtat të shkurtër, morën pjesë në “Konkursin e gruas më të shëmtuar në botë”, në mënyrë që të merrnin paratë e mëdha të çmimit.

Mary vështroi përreth me nervozizëm. Publiku i cili mbushi sallën, po qeshte me të madhe me gratë në skenë.

Ajo ishte në siklet të madh. Uli kokën, heshti dhe desh të zbresi nga skena. Sapo kishte bërë një hap drejt prapaskenës, iu kujtuan fëmijët e uritur që e prisnin në shtëpi. Paratë që do të merrte nga ky konkurs ishin shumë të rëndësishme për të. Ajo nuk ia dilte dot të mbante fëmijët pasi i kishte vdekur i shoqi.

Pavarësisht thirrjeve dhe të qeshurave, vazhdoi të priste në skenë.

“Gjithçka për fëmijët e mi”, tha me zë të ulët.

Gruaja me mustaqe pranë saj tha: “Nuk e kuptova, mos the diçka?”

“Asgjë”, tha Mary.

Mary mbylli sytë dhe e kujtoi të kaluarën. Para se të sëmurej kishte qenë një grua shumë e bukur. Migrena, dhimbjet e muskujve dhe të kyçeve filluan pasi u martua me Thomas Bevanin. Në moshën 29 vjeçare kishte katër fëmijë. Mjekët nuk mund ta kuptonin se çfarë po ndodhte. Atëherë u kuptua që sëmundja ishte “Akromegalia”. Kjo sëmundje ndryshoi formën e fytyrës së saj, duke e bërë atë të mos njihej më. Fatkeqësisht, kur Mary po luftonte me sëmundjen, një ditë burri i saj vdiq papritmas.

Teksa Mary po mendonte për këto, papritmas dëgjoi duartrokitjet dhe hapi sytë. Po, ajo ishte fituese e konkursit “Gruaja më e shëmtuar në Botë”.

Kur e merr çmimin, lotët ranë nga sytë e saj. Ajo ishte bërë “gruaja më e shëmtuar në botë” për fëmijët e saj. Për shkak të pamjes askush nuk e merrte në punë.

Që nga ajo ditë, nisi të punonte në cirk. Ajo me të cilën njerëzit talleshin dhe qeshnin, ishte nënë e katër fëmijëve. Askush nuk e shikonte nga ky aspekt; askush nuk donte t’ia dinte se ishte nënë. Sepse njerëzit kishin nevojë të argëtoheshin, të lavdëronin veten e tyre duke nënçmuar dhe përbuzur të tjerët.

Nëna e përkushtuar Mary vdiq në moshën 59 vjeçare. Punoi në cirk si “gruaja më e shëmtuar në botë”, derisa dha shpirt. Shqetësimi i saj i vetëm ishte që fëmijët e saj mos të ishin të varur nga askush.

Në një botë ku gratë me botoks, me grim, qerpikë të rremë e flokë false konsiderohen “të bukura”, natyrisht, gratë si Mary do të konsiderohen gjithmonë “të shëmtuara”.

Por, mos harroni, gruaja më e bukur në botë është nëna./Telegrafi/

AKTIV PRESS