Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje të parakohshme më 12 prill

1 muaj më parë

Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje të parakohshme më 12 prill

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë marrë vesh që më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend.

Vendimi u bë i ditur nga kryeministri Zoran Zaev, pas takimit disaorësh që u mbajt te presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Zaev tha se ka propozuar që zgjedhjet të mbahen në dhjetor të këtij viti, por kjo nuk është pranuar nga partitë opozitare, për shkak se me Ligjin për qeverinë parashihet që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të formohet qeveri teknike, e cila nuk do të drejtohet nga Zoran Zaev, por nga ndonjë personalitet tjetër i nominuar nga Lidhja Social-Demokrate (partia e Zaevit).

Vendimi për zgjedhje të parakohshme vjen pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zaev e ka marrë përgjegjësinë për këtë, edhe pse vendimin e krerëve të BE-së e ka quajtur “gabim historik të BE-së”, pasi, sipas tij, Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që është konsideruar si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.

Liderët e partive politike, në takim me presidentin, gjithashtu theksuan përkushtimin e tyre për integrimin evropian, duke thënë se “përveç NATO-s dhe BE-së, Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër”.

Edhe kryetarët e partive tjera politike e kanë mirëpritur vendimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare si zgjidhje më e mirë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Paraprakisht Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka theksuar nevojën “për zgjedhje të shpejta parlamentare, për të vazhduar fuqishëm në rrugën e duhur për reforma, përparim dhe integrim”.

Opozita maqedonase, e cila në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, vlerësoi se caktimi i datës së zgjedhjeve do të shënojë edhe “fundin e pushtetit aktual” të udhëhequr nga Zoran Zaev.

“Zoran Zaev i ka ditët e numëruara. Po shihet fundi i bandës kriminale në krye me të amnistuarin Zaev. Po perëndon koha e tenderëve dhe granteve kriminale zhvatëse, e presioneve politike, e padrejtësive dhe e mosndëshkimit të krimit. Po vjen koha kur politikanët nuk do të jenë sinonim i premtimeve të rreme dhe pritjeve të parealizueshme”, thuhet në reagimin e partisë opozitare VMRO-DPMNE.