Maqedoni – Kosovë, zyrtarisht në Shkup

2 muaj më parë

Maqedoni – Kosovë, zyrtarisht në Shkup

Ndeshja gjysmëfinale e Ligës D të Ligës së Kombeve ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Kosovës edhe zyrtarisht është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Toshe Proeski Arena” në Shkup.

Kështu ka bërë të ditur të martën për “Sportin në KTV” sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Salihu ka njoftuar se pas takimit që kanë pasur të hënën me kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, e kanë caktuar edhe hotelin ku do të vendoset Kombëtarja e Kosovës.

“Definitivisht është vendosur të luhet në Shkup. E kemi parë edhe hotelin ku do të vendosemi, e po ashtu kemi biseduar edhe rreth sigurisë. Kryetari Sejdini është shumë bashkëpunues dhe do të shoh mundësinë e rritjes së numrit të biletave dhe të na takojë tërë pjesa veriore e stadiumit”, ka thënë Salihu.

Ndeshja Maqedoni – Kosovë do të zhvillohet më 26 mars dhe në rast të fitores, më 31 mars, në finale do ta presë fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale Gjeorgji – Bjellorusi.