Manushaqe Nura emërohet zyrtare ndërlidhëse Kuvend-FSK

2 javë më parë

Manushaqe Nura emërohet zyrtare ndërlidhëse Kuvend-FSK

FSK’ja që nga sot do të ketë zyrë ndërlidhëse me Kuvendin e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media nga Kuvendi është bërë e ditur se kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit, me të cilin mundësohet që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja ta emërojnë një zyrtar ndërlidhës ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe MM-së, përkatësisht FSK-së.

Në takimin me ministrin Quni dhe gjeneral Ramën Osmani shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për punën e palodhshme Ministrisë së Mbrojtjes, strukturës udhëheqëse të FSK-së, por edhe të ushtarëve e ushtareve të kësaj trupe për t’i shërbyer atdheut, si dhe kënaqësinë e saj për arritjen e një marrëveshjeje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së.

Në këtë pozitë me vendim të komandantit të FSK’së është emëruar kapitenia Manushaqe Nura.

“Kjo dëshmon për nivelin e lartë të organizimit të Forcës, por dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të saj”, citohet të ketë thënë Osmani.

Osmani dhe ministri Quni diskutuan për procesin e transformimit të deritanishëm të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Ajo e siguroi ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.

Ajo theksoi po kështu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit për ta përkrahur këtë forcë për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të nevojshme.