2 vite më parë

Manipulimi i sferës publike

Manipulimi i sferës publike

Ne s’jemi kaq të marrë, jam i sigurt për këtë. Përveç Politikës që ka mbetur mbrapa vetëdijes qytetare, mbrapa kanë mbetur edhe mediet, fatkeqësisht. Ato pak që vazhdojnë të përpiqen për të mirën publike, ose janë duke numëruar ditët e fundit ose po luftojnë për mbijetesë por që s’do t’ia dalin gjithsesi. Për pasojë, qytetarët janë në mjegull, të hutuar dhe të çuditur me shkallën e marrëzisë së Atyre që drejtojnë dhe iluminojnë shoqëritë e vendeve të tjera – Politikanëve e Gazetarëve.

Spin doktorët në krye të kompanive më të mëdha mediatike, e kanë kaluar tashmë nivelin “profesional” të shërbimit ndaj shefave politik, dhe si më të ditur e “besnik” ndaj tyre, sorollaten nëpër studiot e veta televizive për ta shpjeguar të “vërtetën”. Kanë kaluar në agresivitet, sepse Ata dhe vetëm Ata e “mbrojnë” UÇK-në, logjika e tyre e Doktor Agamudhit të bën ta mallkosh vetveten një mijë herë, i kanë përsosur mekanizmat mbrojtës dhe të mbushet mendja se po i dëgjon Shpëtimtarët e Kombit. Pra, jo të SHTETIT. Shteti ka mbetur i ngushtë për vizionin e tyre. Ata janë Skenaristët, Ata i kishin “krijuar” liderët politik. Liderët më pas u bënë shefat e tyre, por kjo s’ka rëndësi.

Me rëndësi Kauza është e përbashkët, macja e miu bëhen bashkë në dimër, thotë populli. Megjithatë, së fundmi janë nervoz diçka, e kanë njëfarë pezmi me qytetarët dhe me Bashkësinë Ndërkombëtare. Si është e mundur të dështojnë “krijesat” e tyre politike, ç’po ndodh me Amerikanët dhe Europianët që kanë filluar t’i injorojnë ato!?

Media e Madhe, e veshur me glamur dhe përmbajtje në funksion të çoroditjes, ka filluar t’mos ju bëj punë. Ata vërtet janë bërë Njësh, por me njëri tjetrin e jo me publikun. Madje e kanë rritur distancën me publikun. Natyrisht, sepse publiku është masa, kurse Ata janë ajka, janë elita që drejton. E ata që drejtojnë s’mund të injorohen, s’mund të rrezikohen dhe as të kërcënohen. Prandaj, edhe nervozën e kanë të arsyeshme. Integrimin Europian, partneritetin me Perëndimin, miqësinë e përhershme me Amerikën i kanë prioritete strategjike, por Demarkacionin s’duhet ta kryejnë, ani pse kërkon Amerika, Gjykatën Speciale duhet ta zhbëjnë, ani pse alarmon Amerika.

Pra, e Vërteta është e tyre, iu takon atyre dhe matet vetëm me kutin e tyre. S’ka rëndësi izolimi i qytetarëve, s’ka rëndësi dyshimi për krime, e për pasojë, s’ka rëndësi as imazhi i agravuar deri në marrëzi i Republikës së Kosovës në botë.
Përtej kësaj, s’ka rëndësi as si ndjehen qytetarët, s’ka rëndësi as perspektiva e tyre. E të gjitha janë normale kur “e mira të çon peshë”.

Kur verbohesh nga milionat dhe fillon mos me i besu vetes për “arritjet” e jashtëzakonshme. Pastaj çuditesh pse qytetarët s’po ta varin më, ndonëse e ke humbur sensin e kohës. Ke harruar që Interneti ka mundësuar platforma të shumta informacioni e komunikimi, që Zuckerberg-u na ka garantuar Lirinë e Shprehjes dhe që e ardhmja i takon Multimedias.
Prandaj, qytetarët janë vërtet të hutuar, por më shumë se kaq ata po këqyrin serí. Po çuditen qysh u bë që aktorët e aksionit të bëhen kaq komikë.

(Arben Fetoshi është gazetar, njëherësh ligjerues universitar)