Mali i Zi ende s’ka marrë vesh për vendimin e Haradinajt

3 vite më parë

Mali i Zi ende s’ka marrë vesh për vendimin e Haradinajt

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacionin me në krye Murat Mehën, ka zënë vend në mediat e Malit të Zi.

Por përpos mediave, askush në Qeverinë e Malit të Zi nuk është e informuar për një vendim të tillë.

Insajderi ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit malazez për të mësuar nëse Qeveria e Malit të Zi është e informuar për këtë vendim.

Srđan Kusovac këshilltar i kryeministrit të Malit të Zi Duško Marković,  dhe drejtues i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Qeverinë malazeze, i ka thënë Insajderit, se askush nuk është i informuar për këtë vendim.

“Ne nuk e kemi asnjë informacion për këtë vendim të kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës. Nuk jemi të informuar as për shkarkim të kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion e as për ndonjë lëvizje tjetër në marrëveshjen e dy vendeve për demarkacionin mes Malit të Zi dhe Kosovës”, ka thënë Kusovac.

Haradinaj sot mori vendim që të shkarkojë Komisionin Shtetëror për Demarkacion dhe kryetarin e deritashëm Murat Mehën me të cilin kishte pasur edhe konfrontime të ashpra gjatë debateve për demarkacionin me Malin e Zi. Në vend të tij e ka emëruar kundërshtarin më të madh të demarkacionit nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi.