Maks Velo, Shesheli i Shqipërisë

2 javë më parë

Maks Velo, Shesheli i Shqipërisë

Reagim ndaj mendimeve të Maks Velos, të shprehura në gazetën “Java”, më 2006

Nga: Rexhep Hoxha (1929-2019)

Në gazetën “Java” e lexova me kureshtje shkrimin e Maks Velos se si “kosovarët akoma janë primitivë, qaramanë. Do të votoja kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, kosovarët janë popull i kategorisë së dytë. Kaherë isha i bindur nga vetë kosovarët. Prandej edhe Qosjen e marr akademik të dorës së dytë. Ai, duke e goditur Kadarenë, na ka fyer të gjithëve sepse ai është krenaria kombëtare. Qosja na detyroi t`i hiqnim këpucët në shtëpinë e tij. Çfarë fyerje! Kosovarët gjithmonë do t`i bëjnë gropa Shqipërisë si Ajdin Sejdia. Po, pas mbylljes së asaj grope Qosja hapi një gropë tjetër, virtuale.

Për çfarë patriotizmi mund të flasin ata, që e tradhtuan fenë e të parëve dhe fenë e gjithë Ballkanit, Krishterimin. Të paktën tani, pasardhësit e tradhtarëve të heshtin”, e çka e çka mos tjetër u njoha mirë me habitusin kosovarofob, krishteromesjetar dhe racor të Maks Velos, sipas Virion Graçit, “njeri me aftësi të shumanshme krijuese si arkitekt, piktor, shkrimtar, publicist dhe antikomunist i hershëm”, që të jetë edhe më i rrezikshëm se kosovari “primitiv” nga ngarkesa me urrejtje ndaj njerëzve dhe bindjeve, që s`i përgjigjen atij.

Ndoshta prej ndonjë Maks Velo tjetër të Shqipërisë do të cilësohesha si primitiv po të deklaroja se kurrë nuk kam dëgjuar për këtë emër me reputacion aq të lartë në jetën publike shqiptare. Mirëpo, nganjëherë, më llogari është që njeriu të jetë primitiv i sinqertë se filozof dinak, i ngarkuar me emocione të tmerrshme të shpirtit, të qesë në shesh qyqarinë e tij pse s`ka arritur t`i realizojë synimet e veta të paarritshme, pikërisht ai që pledon me vendosmëri për krishterimin, sipas të cilit, ai që urren dhe e sheh të uritur, jepi bukë, nëse është i etur, jepi ujë me qëllim që, të gjitha qeniet t`i gjesh në vetvete dhe vetveten në të gjitha qeniet. Mirëpo, duket se për protagonistin tonë krishterimi nuk është aq bindje shpirtërore e tij sa është lule politike për t`u stolisur para krishterimit ballkanik dhe evropian.

Tmerrohet artisti i Shqipërisë pse Qosja e ka atakuar si antimusliman krenarinë e tij kombëtare. Sipas Virion Graçit, “Veloja paska qenë antikomunist i hershëm”. Një paradoks i tij ky për të na habitur. Një diademë letrare e Partisë së Punës së Shqipërisë, krah i fortë i Enver Hoxhës, i marksizëmleninizmit dhe i komunizmit, për t`u përbe në kokën e tij të gjithë anëtarët e Byrosë politike, të thehen edhe ligjet për shkak të tij e që, mandej, me ndryshimin e situatës, të bëhet diametralisht i kundërt, ta shpall veten edhe disident ndaj regjimit komunist të diktaturës evropiane, një lojs t`i ndërrojë drejtimet si gjeli i erërave, e të konsiderohet krenari kombëtare, kjo vërtet bie në sy si një paradoks i “antikomunistit të hershëm” të Shqipërisë, Maks Velos, ta bëjë njeriun për të qeshur.

A mund të jetë njeriu nderi i kombit kur flet herë kështu e herë ashtu, kur i ndërron fytyrat sipas kohës. Karakteri i njeriut, është sikurse ëmbëlsira. Një mizë e fëlliqur t`i bierë, s`e ha kush. Në karakterin e Kadaresë nuk ka rënë vetëm një mizë. Mirëpo, publicisti i Shqipërisë është një kalkulant i mirë dhe pragmatist i shkëlqyeshëm. Ai edhe pse e merr Kadarenë si krenari kombëtare, nuk e harron se është pasardhës i tradhtarëve të dikurshëm të krishterimit, i pëlqen çka flet, por s`është i sigurt çka në brendësinë e shpirtit të shkrimtarit. Po, Kadareja, i biri i Hatixhes e stërnip i Hoxhë Dobit, pasi është deklaruar si antimusliman, për t`u kthyer në krishterimin e stërgjyshërve, i falen të gjitha mëkatet për `tu ngritur në zenitin letrar e patriotik, t`i fitojë të gjitha çmimet nga andartët fanariotë grekë, të cilët privuan nga jeta Dhaskal Thodrin dhe Papa Kristo Negovanin.

Për çfarë patriotizmi mund të flasin ata, që tradhtuan fenë e të parëve, bënë pyetje retorike muslimanofobi pankristina. Të paktën pasardhësit e tradhtarëve të heshtin, urdhëron pandarti i krishterimit. Ç`fyerje e madhe për mijëra e mijëra patriotë muslimanë, që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë, për mijëra e mijëra fatosa që qëndruan në këmbë për ta ruajtur nderin dhe hijen e flamurit të Skënderbeut. Ismail Qemali është dashur të heshtë nga pesha e fajit të stërgjyshërve të tij, që janë kthyer ne fenë muslimanë. Ta pyesim ”mikun” e kosovarëve, a e ka festuar ndonjëherë Ditën e Flamurit, kush e ngriti flamurin kombëtar më 28 nëntor 1912. Po është e kot t`i bëhen pyetje të tilla njeriut me logjik të sëmurë.

Sipas mendimit të Maks Velos kosovarët na qenkan primitivë dhe qaramanë, që don të thotë të pagdhendur, të paedukatë, larg rrjedhave të civilizimit, njerëz me bisht, si i ka cilësuar dikur Vlladan Gjorgjeviqi, dhe lepuj për t`i ndjekur përtej Bjeshkëve të Nemura, si i cilëson Shesheli i kohës sonë. Nuk është larg mendësh se në çdo popull ka njerëz me tipare të tilla, tradhtarë, kriminelë të pabesë, cmirëzi, të padrejtë të t`i bëjnë njerëzit e ndershëm të skutaten diku si personazhe të Franc Kafkës. Por që, një kolektivitet të tërë, një popull apo një komb, të cilësohet si i tillë, më duket është rasti i dytë, që lexoj në shtypin shqiptar. Rasti i parë ka qenë i një “intelektuali” kosovar, i cili, ndoshta i ndërsyer prej serbëve për t`i armiqësuar shqiptarët me turqit, për popullin gjashtëdhjetë milionësh turk deklaron se “populli turk është populli më i fëlliqur në botë”. Po ky i Maks Velos së Shqipërisë është edhe më drastik, për t`u shprehur haptas si i krishterë fanatik dhe eksponent i nacionalfashizmit sheshelian kundër shqiptarëve të Kosovës.

A është kush që s`e di çka na kanë bërë kriminelët serb? Maks Velo ndoshta edhe qenka lutur para Krishtit të na masakrojnë e të na dëbojnë prej vatrave tona stërgjyshore. Mirëpo, mua as zemra as goja s`ma qet të deklaroj se populli serb është popull primitiv dhe kriminel. Është krijuar situata të dalë mbi sipërfaqe një shtresë kriminelësh të kombit serb që arrin të mbizotërojë t`ua imponojë edhe shumë serbeve t`i shkelin porositë e nënës së shenjtë serbe, Jevrosima.

Fatkeqësi e madhe për Maks Velon, hije e keqe për Shqipërinë, të thotë se kosovarët janë primitivë, se kosovarët janë popull i kategorisë së dytë se s`kisha votuar të bashkohet Shqipëria me Kosovën. Perëndia mos e dhashtë të ketë Shqipëria edhe më shqiptarë të tillë. Prej nga gjithë ajo mëri se kosovarët gjithmonë do t`i bëjnë gropa Shqipërisë. Mos është preku në sedër se kosovarët gjithmonë kanë qenë me sy e zemër kah Shqipëria? Ajo gjithmonë e jetë ka qenë shpresa dhe ngushëllimi i tyre. Ata edhe në situata më fatale e kanë ndi vedin të fortë se kanë nënën Shqipëri. Sa kosovarë janë kalbur nëpër burgjet jugosllave për dheun e shqiponjave S`e kishte për primitivizëm kosovari, shekuj me radhë i robëruar, ta shikonte me madhëri shqiptarin e Shqipërisë, pa fije xhelozie ta konsideronte më të dijshëm, më të aftë, më me kulturë, pa e cenuar aspak dinjitetin dhe vitalitetin e vet për të qenë burrë i një fisi të përmendur, me gjithë tiparet e njeriut të një race alpike, të qëndrojë në këmbë edhe në çastet më tragjike të fatit të tij.

Fëmijët e Kosovës mësuesit e ardhur nga Shqipëria s`i kanë dalluar a janë muslimanë, katolikë apo ortodoksë, a e kanë emrin Muhamet, Dhimitër apo Ndue, se ata ishin mësuesit e tyre. Sa kolektive mësuesish, arsimtarësh, profesorësh të Kosovës, nxënësish të shkollave fillore e të mesme kanë vizituar Shqipërinë, të pësojnë shpesh edhe aksidente rrugës, të sulmohen edhe prej cubash të veriut, vetëm pët ta njohur e për ta nderuar tokën e Naimit, të Fishtës, të Çajupit, Vaso Pashës, Filip Shirokës, të cilët për shpirt e zemër i kishin mësuar nëpër shkolla, shpesh edhet të persekutuar për veprat e tyre të ndaluara. Dorë më dorë kanë kaluar veprat e Haki Stërmillit, Sterio Spases, të Foqion Postolit, të Migjenit. Janë botuar e stërbotuar veprat e tyre, madje edhe kompletet e veprave të tyre, që s`e bënin as shtëpitë botuese të Shqipërisë, pa u lëkundur fare nga nënçmimi, që i bëhej krijimtarisë letrare të Kosovës.

Autorit të këtij shkrimi, Rexhep Hoxha, ndonëse është shkrimtari i parë për fëmijë në Kosovë, tek në vitin 1974 Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ia boton një tubëz vjershash me titull “Le të çelin lulet” në format xhepi letre të dobët. Po, për t`u habitur më së shumti, redaktori, Odhise Grillo, aq ndryshime bën në vjersha, sa të mos i konsideroj të mijat. S`ka vjershë ku të mos ketë intervenuar. Ka hequr vargje, ka shtuar strofa, ka prishur masën e vargut, rimën, ritmin, për të thënë se asi vjershash të dobëta nuk kam shkruar as si fillestar në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Nuk besoj ta ketë bërë me qëllim Odhiseu të thotë se çfarë vjershëtarësh për fëmijë ka Kosova.

Maks Velo, Maks Velo! Shikohu pak në pasqyrën e Gogolit! Kosovarët s`ua ngjesin emrat e të gjitha qyteteve të Shqipërisë, të maleve e të lumenjve, fëmijëve të tyre për t`i dhënë bukë Shqipëria, por për dashurinë e madhe, që kanë ndaj saj. Sa emra Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë, Shkodran, Labinot, Milot, Butrint, Sarandë, Migjen, Asdren, Shkumbin, Valbonë, Vjosë, Tomorr, Korab, kanë fëmijët e Kosovës. A ka ngjarë qytetarët e Shqipërisë t`u ngjesin fëmijëve ndonjë emër nga Kosova e Bajram Currit, e Isë Boletinit dhe e Idriz Seferit? Euforinë e kosovareve s’është për ta arsyetuar. Por, edhe euforinë e shqiptarëve të Shqipërisë s`është për ta lëvduar. Ndërsa euforia e shqiptarëve të Kosovës është e orientuar kah Shqipëria, ajo e shqiptarëve të Shqipërisë kah rusët, italianët, grekët, francezët, anglezët. Sa Vlladimira shqiptarë janë me emrin e Vlladimir Iliç Leninit. Të mos flasim për emra kombesh të tjera evropiane.

Atëherë, a s`janë këto gropa shpirtërore, që ua kanë çelur vetëvedit shqiptarët, për t`i shkelur porositë e patriotëve të mëdhenj shqiptarë në rojën e identitetit kombëtar. Një poete shqiptare, me përkatësi muslimane, pse i ka pëlqyer personazhi i një romani anglez, djalit ia ka vu emrin Darling. Kjo, kuptohet, i ka pëlqyer Maks Velos, s`ka gjë pse s`është emër shqiptar pasi është emër i krishter.

Deklarata e Iamail Kadarsë se “shqiptarët duhet të vuajnë nga një ndjenjë faji pse janë kthyer në muslimanë ka ndihmuar fuqishëm në shpirtërat e prirur për t`u larguar nga vendi, don të thotë nga Shqipëria e jo nga Kosova, qoftë duke e ndërruar fenë, duke e ndërruar kombin, duke i ndërruar emrat, vetëm për të ikur sa më parë nga votrat stërgjyshore. Shënohet në shtyp se rreth 45,000 shqiptarë vetëm gjatë një gjysëmvjetori, zyrtarisht kanë ndërruar emrat për t`u punësuar në Greqi. Prej tyre, më se 70 për qind janë muslimanë, kurse pjesa tjetër katolikë nga veriu i Shqipërisë. Kjo është një tragjedi e vërtetë kombëtare për të menduar se a ka ngjarë një gjë e tillë, për më tepër, kur është mësuar nëpër shkolla për karakterin e fortë të shqiptarit, besën e madhe të tij dhe qëndrueshmërinë për të ruajtur dinjitetin kombëtar dhe njerëzor.

Ç`bëjnë shqiptarët e Shqipërisë në vitin 1997, çfarë shkatërrimesh i bëhen vendit, digjen biblioteka, shkatërrohen çerdhe fëmijësh, fabrika, uzina, sera zarzavatesh, pemishte, të tmerrohet njeriu vetëm për t`i marr me mend ato vandalizma? Ç`u bë me Parlamentin, këto kohët e fundit, ç`mjete përdorën deputetët e anrkodemokracisë për t`i shkelur ligjet e parlamentarizmit? Për të gjitha këto do ta pyetja zotëri Maks Velon në cilën kategori do ta fuste Shqipërinë? Sipas opsesionit racist të tij, kosovarët janë të kategorisë së dytë, edhe pse kosovarët s`kanë bë gjeste të lartpërmendura. Po për çka? Për shkak të mendimeve të Qosjes ndaj Kadaresë, për shkak se Qosja s`e ka lejuar të hyjë në dhomë me këpucë dhe për shkak të gropës së Ajdin Sejdiut në qendër të Tiranës.

Zotëria i mirë, Qosja shumë mirë ia ka bërë. Dhe, nga ato mendime edhe unë ia kam shprehur para dhjetë vjetëve në broshurën time “Nuk është ashtu”, Kadarea nuk don të kthehet në fenë e stërgjyshërve krishterë nga bindja për t`u rrëfyer për fajet e tyre, por për ta mashtruar Evropën krishtere t`i japë shpërblimin Nobël. Kjo s`i ka hije shkrimtarit të madh, nderit dhe krenarisë së kombit. Maks Velo mund ta çojë edhe në qiell, por për t`u kthyer edhe një herë te këpucët. Qosja t`i kishte thënë hyn ne dhomë me këpucë, është dashur t`i dathi vetë. Kah ka shkelur nëpër nevojtore e bagla rrugëve të qytetit, pse të hyjë me këpucë në dhomë, ku, si thotë edhe vetë, ishte e shtruar si në xhami. Në xhami nuk hyhet me këpucë të fëlliqura e mendime të çoroditura.

Sa për gropën e Ajdin Sejdiut në mes të Tiranës, ajo është gropë e tokës. Njeriu mund të hap mijëra gropa në tokë, të mbulohen prapë e të harrohen. Por gropa, që ka hapur Maks Velo në mes të Shqipërisë e Kosovës, është gropë shpirtërore për të mos u harruar kurrë. Ariu ia falë plagën një gjahtari. Por, kur ai i thotë ariut se po të vie erë e keqe, atë s`ia falë kurrë. Prandaj, gjuha sarkastike e këtij zotërie të mirë ndaj Kosovës, duhet të merret vetëm si një gjuhë e djallit për t`u eliminuar për jetë të jetës në mes të shqiptarëve të cilitdo vend qofshin, muslimanë, ortodoksë apo katolikë. Kjo është porosia e rilindasëve tonë të ndritur, të cilët tokën e Skënderbeut e kanë konsideruar si djep të artë të tolerancës fetare.

Shpirti skofiar i artistit fyhet pse s`e lejojnë të hyjë me këpucë ku të gjithë të tjerët i dathin. Qosja shumë mira ia ka bërë. Unë, Rexhep Hoxha, do t`ia bëja edhe më mirë. Në emër të kosovarëve të vërtetë, që janë ndera dhe lavdia e fisit arbëror, jo e atyre, që ua kanë mbajtur palltat dikur zotërinve të Beogradit e në një situatë tjetër ua mbajnë atyre të Shqipërisë për të krijuar ndjenjën e grandomanisë e për vete kompleksin e tmerrshëm të inferioritetit, do ta detyroja zoëri Maks Velon që, po t`i mbushet mendja të vijë edhe një herë në Kosovë, t`i dathë këpucët jo pa hy në dhomë të kosovarit, por në kufi të hyrjes në Kosovë. Ato janë këpucë të një Shesheli prej Shqipërie. Shesheli serb asgjë s`ka folur më keq për kosovarët se sa Shesheli i Shqipërisë. (Marrë nga Telegrafi)

AKTIV PRESS