LVV nuk do ta lejojë në Kuvend, Driton Selmanaj nuk përgjigjet se si do të veprojë

2 muaj më parë

LVV nuk do ta lejojë në Kuvend, Driton Selmanaj nuk përgjigjet se si do të veprojë

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do të lejojë mbajtjen e seancave në Kuvendin e Kosovës kur është i pranishëm zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. Partia e Albin Kurtit vlerëson se Selmanaj nuk duhet ta marrë më fjalën në Kuvend, për shkak të deklaratës së tij për personat e pagjetur.

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha tha dje se Grupi Parlamentar i kësaj partie ka vendosur që të mos lejojë vazhdimin e seancave kur aty të jetë i pranishëm Selmanaj. Ndërsa, më vonë i ftuar në “Frontal” në T7, deputeti Mefail Bajqinovci, tha se Selmanaj e ka vendin në Qeverinë e Beogradit dhe jo në Qeverinë e Kosovës.

“Ai njeri që u lodhë me punën e të pagjeturve e ka vendin në Beograd jo në Qeverinë e Kosovës…Nuk do ta lejojmë në Kuvend, ai nuk duhet ta marrë më fjalën në Kuvendin e Kosovës. Ai është zv/kryeministër, por me atë fjalor mund të jetë në qeverinë e Vuçiqit e jo këtu”, tha Bajqinovci në “Frontal”, transmeton Express.

Bajqinovci shtoi se deklarata e Selmanajt për të pagjeturit është e pafalshme, teksa shtoi se “me këtë nuk bëhet hajgare, është çështje e ndishme e popullit tonë”.

Deputeti i LVV-së tha se nëse është lodhë Selmanaj le “të bëhet zv/kryeministër në qeverinë e Beogradit”.

“Ky njeri nuk e ka vendin këtu, sa më shpejt që të largohet ky person është aq më mirë për vendin”, shtoi ai.

Pas publikimit të qëndrimit të LVV-së ndaj Driton Selmanajt, Express ka tentuar të marrë një prononcim nga zv.kryeministri, për të parë se si do të veprojë ndaj paralajamërimit të partisë së Albin Kurtit, por i njëjti nuk është përgjigjur as dje e as sot.

Për deklaratën e Selmanajt ka folur dje edhe shefi i tij, Avdullah Hoti, i cili tha se deklarata e zv.kryeministrit është shtrembëruar nga persona të caktuar.

Por çfarë realisht tha zv.kryeministri Selmanaj në Pressing, ku pas emisionit edhe u iniciua edhe peticion për shkarkimin e tij.

Më poshtë mund të lexoni transkriptin e plotë të debatit.