7 muaj më parë

Lugina e Preshevës duhet të ruhet nga “shpëtimtarët”

Lugina e Preshevës duhet të ruhet nga “shpëtimtarët”

(Apo: çfarë i porosisja preshevarët gjatë 9 muajve të kaluar dhe si ndjehen ata sot, pas Berlinit….)

Në romanin “Tesi i D’Erbervillëve”, të shkrimtarit anglez, Tomas Hardy, në një natë të vonë, heroina e romanit, Tes, po kthehej nga qyteza me disa fshatarë të tjerë. Në një moment, e hetoi se ishte në rrezik fizik. Alek-u, një mashkull që i kishte vënë syrin më parë, po kalonte atypari dhe i ofroi Tesit ta shpëtonte, duke e marrur në kalin e tij. Dikush nga fshatarët aty, pëshpëriti “nga shiu, në breshër”, por Tesi i besoi kalorësit dhe ndihmës që po i ofronte.

Megjithatë, në vend se ta dërgonte në shtëpi, aventurieri i papërmirësueshëm e fut në një rrugë të humbur të një pylli, pastaj në një mjegull, ku Tesit do t’i shkaktohet plaga, nga e cila nuk do të shërohet kurrë.

Ngjarje e gjatë kjo, por fjala kyçe për çështjen që po trajtojmë këtu është fjala “mjegull”. Kjo, për shkak se paria e Kosovës, sidomos Presidenti i saj, po e thërret Luginën e Preshevës, sikur Tesin e brishtë në roman, kinse për ta shpëtuar.

…………….

Për një kohë të shkurtër, kam punuar në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, afër Preshevës. Në njërën nga mbrëmjet, kur po merrja ajër jashtë lokaleve, pashë një çift të ri me dy fëmijë që po vinin teposhtëzës, për të kaluar në Preshevë (Serbi). I ndërrova pak fjalë me ta dhe i pashë ata ëngjëjt e tyre 6-7 vjeçarë. Dhe, kur po largoheshin e po hynin në kontrollin kufitar të shtetit serb dhe pastaj kur humbën në kthesën e pyllit, që na ndan, ndjeva një boshllëk në zemër. Pastaj, krejt papritur, ndjeva një lot të nxehtë në faqe dhe mendova: për ta, asgjë s’ ka përfunduar. Asgjë! Dhe mendova sa shpejt i kemi harruar!

Po, i kemi harruar. Shumë shpejt!

Por, a është harresa jonë gjëja më e keqe këtu?

Jo, më i keq është premtimi se sa harresa!

…………

Një natë të ftohtë dimri mbreti kthehet për në kështjellën e tij dhe aty tek porta sheh një plak qe ishte veshur hollë dhe dridhej nga të ftohtit. Mbreti e pyet: “A nuk ke rroba më të trasha dhe si ia ben në këtë të ftohtë?!”

Plaku i pergjigjet: “Jam i varfër dhe nuk kam rroba të tjera, ndaj duhet të bëhem i fortë dhe të duroj. Nuk kam rrugë tjetër”
Mbreti i thotë: “Më prit këtu sepse do të urdhëroj shërbëtorët të të sjellin diçka për të veshur!”

Mirëpo, sa u fut brenda, mbreti harroi çfarë kishte premtuar dhe e la plakun në të ftohtë.

Kur del në mengjes, e gjen plakun të vdekur nga të ftohtit. Plaku kish lënë një letër të shkurtër në të cilën shkruhej:

“Madhëri! Unë vdiqa sepse ti më premtove dhe më harrove. Po të mos më kishe premtuar, do të isha bërë i fortë si herave tjera!”

……….

Besimi në elitën e tanishme politike të Kosovës, do t’i fusë në mjegull preshevarët, do t’u hapë plagë të reja, do t’u dobësojë rezistencën dhe mekanizmat që ata kanë krijuar për mbijetesë dhe në fund, do t’i lë me gisht në gojë sepse një pari kriminale dhe injorante që po e bën Kosovën xhepa-xhepa nuk mund t’u ndihmojë as atyre.

Më e keqja është që krerët e Preshevës kohëve të fundit po flirtojnë pikërisht me një pari, që as një Abetare nuk mund t’ua dërgojë. Po flasin se kinse kjo paria jonë që e privatizoi dhe shkatërroi Kosovën, po mundka me e bashku Luginën e Preshevës me Kosovë.

Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe e rrezikshme.

Shumë e rrezikshme!

AktivPress