“Lufthansa” anulon mijëra fluturime – Aeroporti i Prishtinës nuk preket

1 javë më parë

“Lufthansa” anulon mijëra fluturime – Aeroporti i Prishtinës nuk preket

Kompania gjigante ajrore gjermane “Lufthansa” njoftoi sot për anulimin e 1300 fluturimeve për të enjten dhe të premten, për shkak të një greve të planifikuar nga një sindikatë që përfaqëson punonjësit brenda aeroplanëve në Gjermani.

Unioni UFO u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve për një grevë 48-orëshe që nis nga mesnata. Është pjesë e një mosmarrëveshjeje me avio-kompaninë më të madhe gjermane për pagat dhe statusin ligjor të unionit, transmeton Koha.net.

Kompania ka thënë se rreth 2300, nga 3000 fluturime të planifikuara për të enjten, do të realizohen, dhe 2400 të premten, fluturime këto të planifikuara më parë, duke prekur kështu rreth 180000 pasagjerë.

Greva do të fillojë sot në orën 24:00 dhe do të zgjasë deri të premten në orën 24:00. Ajo do të përfshijë të gjitha fluturimet me nisje nga aeroportet gjermane, fluturime brenda vendit ose ndërkombëtare.

“Sindikata vendosi ta ndërmarrë këtë lëvizje sociale për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të ‘Lufthansa’-s për të negociuar mbi pretendimet e saj”, theksoi UFO në një komunikatë.

Ndërkaq, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kanë thënë për Koha.net se nuk ka pasur anulim të fluturimeve nga dhe për në Prishtinë.

Sipas zyrës për informim nga ANP “Adem Jashari”, “‘Lufthansa’ nuk ka direkt fluturime për dhe nga Prishtina dhe se kompanitë simotër të saj përmes së cilave qarkullojnë pasagjerët në dhe nga Prishtina nuk janë prekur”.