Lufta e pamundur e Serbisë për t’i zhbërë shqiptarët

1 muaj më parë

Lufta e pamundur e Serbisë për t’i zhbërë shqiptarët

Nga Adem Nimani

Kur filloi kolonizimi e Kosovës, Serbia shqiptarët nuk i kurseu nga asnjë dhunë. Së pari filloi vendosja e kolonëve nëpër pikat më strategjike.

Në Runik, Kosterc, Leqinë, Padalishtë e Suhogerllë plasi tmerri, pasi prej andej nuk ishte shpërngulur askush për Turqi. Vetëm ndonjë individ i rrallë kishte ikur në Shqipëri, por duke lënë pas një apo më shumë anëtarë të familjes.

Kolonizimi i Suhogërlles u bë shumë shpejt, pasi aty kolonët u vendosën në grupe. Ramë Misiri, i cili gjatë gjithë jetës do të njihet si Ramë Nallbani, ishte shumë i vendosur për të mos u larguar. Kishte tokë të cilën ia morën kolonët, por i mbeten edhe pjesë të tjera më larg qendrës së fshatit. Pasi u nda nga Ali Nallbani, hapi një nallbahane të tij dhe po mundohej me çdo kusht të mbetej aty ku kishte lindur.

Në Kostërc, fare afër Runikut, u vendosën shumë kolonë serbë, gati po aq sa kishte shqiptarë vendas. Pushtuesi kishte përgatitur planin shumë më herët. Ai po zbatonte të gjitha metodat e dhunës si i kishte paraparë, por shqiptarët nuk po largoheshin. Edhe kur ua morën gjithë rezervat e ushqimit, edhe miellin në magje, nuk u shpërngul askush.

Shteti serb ndiqte nga afër gjendjen, por nuk ndërroi metodë. Kontrollonte çdo lëvizje të mundshme për furnizim nga trevat tjera, edhe natën. Lëvizja e lirë kishte mbetur vetëm ëndërr. Nuk mbeti shtëpi a familje pa bastisur për armë e për ushqim.

Sa kalonin ditët, dhuna mbi shqiptarë shtohej. Në fokus të pushuesit ishin familjet e mëdha e të forta. Serbët mendonin se duke i detyruar së pari të largohen ato familje, të tjerët fshatarë që ishin në gjendje të mjerë materiale do të iknin më lehtë, por asgjë nuk po shkonte sipas planit. Pas goditjeve të familjeve të Daut, Ali e Ramë Misirit, të Ismail Dautit, Beqir Hazir Hysenit, Ramë Nallbanit, Osman Ajet Halilit, Imer e Selman Kadri Spahiut, Selman e Mujë Nimanit dhe Dan, Maliq, Ajet e Isuf Sefer Nimanit, filloi goditja e të tjerëve. Pësuan thuaja të gjithë me radhë, por nuk po shpërnguleshin as më të goditurit. Largimi i tyre dukej krejt i pamundur.

Fshatarët po shpiknin metoda më të paimagjinueshme për të vazhduar jetën në tokat e tyre. Më nuk ndërtonin shtëpi me themel, por fare të thjeshta, sa për të kaluar qoftë edhe një natë të vetme. Kjo dukuri shpejt i ra në sy xhandarmërisë. Për zbulimin e kasolleve të improvizuara të familjeve shqiptare, xhandarmërinë e ndihmonin edhe kolonët që po vendoseshin çdo ditë e më shumë. Lëvizja e shpeshtë e këtyre kasolleve ishte punë jo fort e lehtë, por tjetër mënyrë nuk kishte për të mbijetuar. Ndërtonin shqiptarët kasolle edhe atje ku nuk mund t’i shkonte mendja njeriut normal.

Në raportin e parë të komandantit të xhandarmërisë serbe, kur filloi vendosja e kolonëve nëpër tokat e shqiptarëve, për eprorin e tij të lartë, thuhej:

“Kemi filluar vendosjen e kolonëve, por arnautët nuk po largohen lehtë. Ata kanë toka në afërsi dhe atje po ndërtojnë kasolle të reja. Ua kemi marr arat më të mira, livadhet, krojet e malin më të mirë. Ua kemi ndaluar çdo lëvizje, por ata përherë lëvizin andej ku nuk kalon njeri. Çdo familje ka shumë anëtarë dhe secili prej tyre kryen një detyrë, si një ushtar i disiplinuar. Atyre ua kemi ndaluar çdo tregti, por ata shkëmbejnë gjerat elementare mes veti, atje ku jetojnë nëpër skuta malesh e përrenjsh. Ndërtojnë kasolle afër humnerave, ku nuk i arrijmë dot as me ushtrinë e xhandarmërinë tonë. Do ta kemi vështirë t’i dëbojmë. Sado që kemi vrarë shumë arnautë, ata nuk frikësohen. Asnjë dhunë e deritashme nuk po jep rezultat. Presim urdhra të rinj”!

Në raportin tjetër komandanti i xhandarmërisë shkruan:

“Ata (arnautët) nuk ikin larg. Ata strehohen edhe aty ku duket krejt e pamundur. Mund të thoshte dikush se ata janë si lepujt, por kjo nuk është e vërtetë. Ata janë tepër dinakë e të zhdërvjelltë. Nuk kemi ide sesi mbesin gjallë pas gjithë atyre të zezave që ua kemi bërë e po ua bëjmë çdo ditë. Nëse ua punojmë një të zezë të madhe sot, shpresojmë se do të zhduken brenda natës, por pas pak ditësh i shohim atje ku nuk paramendonim se mund te gjallërojnë kurrë”.

Kësi refrenesh lexoi e shkroi me vite nga Runiku çdo komandant i xhandarmerisë serbe për eprorin e tij. Këso raportesh shkruan ata edhe pas Luftës së Dytë botërore. Dhuna vazhdonte megjithëse me metoda krejt të reja e më të sofistikuara. Por, shqiptarët që i shpëtonin vrasjeve, qoftë publike, qoftë të fshehta nga pushtuesi, gjenin mënyra e metoda më të panjohura për armikun, për të mbetur aty në tokën stërgjyshore.

Sa herë shkruante raport për operacionet në terren kundër shqiptarëve, komandanti serb i xhandarmërisë detyrimisht po përsëriste fjalë e fjali të njëjta. Fitohej përshtypja se shqiptarët nuk shfarosen dot nga asnjë armë apo dhunë.

Në raportin tjetër ai shkruan:

“Me qindra familje arnautësh i kemi lënë pa pronë, pa shtëpi, dhe pa gjë të gjallë për jetë, por ata nuk ikin. Fshihen nëpër shkurre e male. Edhe po të kemi me mijëra ushtarë e xhandarë, nuk e kontrollojmë dot edhe malin që është bërë strehë e tyre. Janë vendosur larg rrugëve kryesore, nëpër gërxhe, përroska e shpatina malore, ku mbijetojnë më pak bagëti dhe shumë herë edhe pa bukë fare. Ata po hapin toka të reja edhe atje ku nuk lëvron dot njeriu. Asnjë masë nuk po jep rezultat. Nëse dilni në rrugë apo shkoni në ndonjë vendbanim ku kanë filluar jetën këta njerëz, nga e para, nuk do të besonit se do të zgjohen të gjallë në mëngjes.

Ata nuk furnizohen me asgjë. Nuk kanë as çka të shesin. Po edhe nëse dikush prej tyre ka një lopë a dele për ta shitur, më parë duhet të merr leje me shkrim në stacionin e xhandarmerisë, pasi pa leje letre të vulosur, nuk mund ta qesin në treg. Atje ku tubohen për të këmbyer diçka mes veti, diçka që i thonë tregti, askush prej tyre nuk ka qoftë edhe një dinar serb. Edhe ashtu, ata realisht nuk kanë ku ta fitojnë e as ku ta marrin dinarin e krajlit tonë. Lypin bukë nga njëri-tjetri. E ndajnë mes tyre edhe kafshatën e fundit të bukës që kanë. Miku furnizon mikun me atë pak miell që ka. Tash për tash, ata as nuk kanë ku të mbjellin diçka, pasi arat ua kemi marrë atë ditë që vendosem kolonët tanë.

Megjithëse duket e pamundur, arnautët thjeshtë jetojnë në mal. ‘Shumari’ që kemi emëruar me urdhrin tuaj, nuk ka punë fare, por edhe nëse del në mal, nuk e njeh terrenin fare. Nuk e paramendojmë dot se si këta njerëz mbledhin degë të thata tërë ditën, dhe me to gatuajnë natën, për të mos u dukur tymi. Ndërrojnë vendbanimin sa çel e mbyll sytë. Ka fare pak shtëpi nga balta e gurët. Shumica e tyre ndërtojnë kasolle nga druri. Kryqëzojë shpejt degë lisash me dushk në lartësi të konsiderueshme dhe në mes ndezin zjarrin, ku gatuajnë për të ngrënë. Nëse rastësisht dënojmë dikën me të holla, ai nuk ka me çka paguan dhe përfundon në burg. Burgjet i kemi mbushur plot, dy-tri herë më shumë se që mund të zënë realisht.

Mund të merrni me mend se, shumica prej tyre nuk kanë as kuaj e as kije për tërheqje. Të rrallë janë ata që kanë ndonjë gomar me të cilin sjellin dru në shtëpi. Zakonisht drutë i sjellin me krah. Ndihmojnë njëri-tjetrin edhe kur janë secili më ngushtë se tjetri. Nuk e lëshojnë njeri-tjetrin deri në varr. Sa shumë herë grinden e rrahën mes veti, menduam se do të shfarosen vet. Ata nuk kanë kurrfarë organesh, as kurrfarë pushteti, por disa njerëz të dalluar prej tyre i dëgjojnë dhe i respektojnë si perëndinë.

Përkrahin njëri-tjetrin edhe në çastet më të vështira. Huazimet mes tyre janë shndërruar në armë për jetë a vdekje. Ndodhë që një hua kalon nëpër pesë palë duar, nga njeri tek-tjetri. Ky solidaritet është tepër i rëndësishëm dhe i shpëton nga vdekja e sigurt. Kur i shohim si jetojnë, jemi të bindur se ata më parë vdesin se që largohen prej aty”.

Kështu njoftonte komandanti i xhandarmërisë serbe eprorët e tij dhe vazhdonte:

“Ata e mësojnë gjuhën serbe edhe pa shkuar kurrë në shkollë. Ata janë në gjendje të sjellin ujë për pastrim e pije edhe nga kilometra larg. Kanë ndërtuar mullinj tepër primitiv në disa përroska ku nuk depërton as djalli. Ata pak drithë që kanë, e dërgojnë me duqi në krah në mulli. Në ata mullinj, që kur i sheh njeriu, duket sikur do të shemben brenda çastit, bluajnë miell për veti dhe për miq në çdo kohë. Edhe kur dikush nuk ka më shumë se një buçuk drithë për të bluar, e ndanë me tjetrin posa e bluan. Ndodhë që misrin nuk e bluajnë, por e ziejnë dhe ushqehen ashtu me kokrra të ziera. Edhe në këso kushtesh, ata nuk e lënë njeri-tjetrin pa një petë lakrori për darkë. Është interesant se nuk ka asnjë rast që dikush të keqpërdorë ndihmën e tjetrit. Ditë e natë punojnë si thneglat. Përditë hapin parcela të reja tokash për të mbjellë diçka. Mendojmë se vetëm duke i vrarë mund t’i zhdukim. Por edh t’i vrasim të gjithë duket krejt e pamundur. Presim urdhër tjetër për veprim”. /Telegrafi