Lufta e Kosovës, Ahmeti: Grubi ishte përkthyes dhe jo hetues për “Shtëpinë e Verdhë”

2 muaj më parë

Lufta e Kosovës, Ahmeti: Grubi ishte përkthyes dhe jo hetues për “Shtëpinë e Verdhë”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka qartësuar rolin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Artan Grubi në hetimet për të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë” në Mat, ku pretendohej se ishte shfrytëzuar për transplant organesh nga UÇK gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ahmeti ka rikujtuar opinionin se Artan Grubi nuk ka qenë hetues në rastin në fjalë por vetëm përkthyes dhe që sigurisht që z. Grubi ka pasur dijeni mbi çështjen pasi ka bërë përkthyesin për personat e intervistuar.

Deklaratat Ahmeti i bëri në emisionin Click Plus në televizionin 21:

Gazetari Fatmir Aliu:“Njëri prej bashkëpunëtorëve tuaj shumë të afërt, z. Grubi u sqarua për një çështje që lidhet me punën e gjykatës speciale, se ai ishte përkthyes dhe cili ishte roli i tij për hetimet që u bënë atje, po flasim për një kohë shumë të mëhershme dhe a mund të na thoni cili ka qenë roli i z. Artan Grubi para dhe pas luftës?

Ali Ahmeti: “Sigurisht që z. Grubi ka qenë përkthyes dhe ai ka sqaruar të tërë këtë situatë, të shtëpisë së verdhë. Ka shpjeguar deri në fund, deri në prononcimin e prokurorit.”

E keni ditur prej fillimit rolin e tij?

Ali Ahmeti: “Sigurisht sepse z. Grubi ka punuar si përkthyes dhe nëpunës në përfaqësin e NATO-së këtu në Shkup, ka qenë i angazhuar si përkthyes dhe nëpunës në ambasadën holandeze, por ka qenë njëherësh edhe përkthyes në Tribunalin e Hagës rreth 7 apo 8 vite, nuk më kujtohet saktë dhe pasi është kthyer nga Haga ka vazhduar punën në NATO dhe pas saj përsëri në ambasadën holandeze.

A e keni njohur z. Grubi prej kohës kur ishte përkthyes në Hagë apo para asaj, se edhe kjo dilemë është shtruar në opinion?

Ali Ahmeti:“Me saktësi nuk e di prej kur e njoh z. Grubi por mesiguri ka vite që e njoh, mund të jenë 15 apo më tepër.”

A ka qenë z. Grubi i përfshirë në hetimet që janë bërë, edhe si përkthyes në shtëpinë e verdhë?”

Ali Ahmeti:“Unë nuk mendoj që z. Grubi ka qenë hetues, sigurisht që z. Grubi materien e ka njohur sepse është naivitet unë të them që z. Grubi nuk e ka njohur materien derisa ka qenë si përkthyes dhe sigurisht që ka komunikuar me njerëzit që kanë qenë të intervistuar.

Pse po apostrofohet prej Tiranës zyrtare, prej Partisë Demokratike si njeri që ka qenë i përfshirë atje dhe jo Lulzim Basha? A është kjo një lojë politike që po bëhet për të përfshirë dy kryeqytetet, bashkë me Prishtinën, apo pse?

Ali Ahmeti:“Për këto çështje unë nuk mund të bëj gjykim se përse ka shpërthyer kjo përplasje dhe është bërë e tërë kjo zallai!”