Lista Serbe: Vetëm ne mbështetemi nga Beogradi dhe Vuçiqi

1 javë më parë

Lista Serbe: Vetëm ne mbështetemi nga Beogradi dhe Vuçiqi

Krerët e Listës Serbe, kryetari Goran Rakiq dhe nënkryetarët, Dalibor Jevtiq e Igor Simiq, i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë në vendimin e KQZ-së që në zgjedhjet e 6 tetorit të votohet vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës.

Ata kanë organizuar një konferencë me gazetarë, ku kanë tërhequr vërejtjen se vetëm Lista Serbe e ka mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe të presidentit Vuçiq, derisa subjektet tjera politike serbe i kanë quajtur të dëmshme për interesat e serbëve të Kosovës.

“Disa, të cilët fatkeqësisht kanë emra dhe mbiemra serbë, me vjen keq që më duhet të them kështu, janë angazhuar dhe janë huazuar nga ana e shqiptarëve dhe ku ta di nga kush tjetër që të paraqitën kundër interesave të politikës shtetërore të Serbisë dhe unitetit të nevojshëm. Ata kanë përshëndetur vendimin e KQZ-së për të votuar vetëm me dokumente të Kosovës.

Ata janë huazues të thjeshtë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë, përndryshe këto zgjedhje nuk janë legjitime. Gjendja e tashme është e paqëndrueshme, gjithmonë deri tani serbët kanë pasur të drejtë të votojnë me dokumentet e veta. Duhet t’u mundësohet serbëve të votojnë me të gjitha dokumentet e vlefshme”, ka thënë Marko Gjuriq, nënkryetar i partisë së Aleksandër Vuçiqit, SNS.

Ndërkaq kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, që u ka bërë thirrje serbëve të votojnë vetëm për kandidatët e Listës, ka thënë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, ndërsa ka vlerësuar se heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është brengosëse.

“Dua ta njoftoj opinionin se LS-ja është ankuar, derisa partitë private të Dragan Gjillas, siç është SLS-ja e Sllobodan Petroviqit, subjektet e Rada Trajkoviqit e Aleksandar Jabllanoviq nuk e kanë kundërshtuar këtë vendim dhe madje as nuk kanë paraqitur ankesë, që për ne do të thotë se ky vendim i KQZ-së është marrë me kërkesë të tyre”, ka thënë ai, ndërkaq Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, thotë se vendimi është antiserb dhe se vetëm Lista Serbe është ankuar, shkruan gazeta “Zëri”.

“Do të vazhdojmë të luftojmë dhe njëkohësisht i ftojmë qytetarët që në ditën e votimit, më 6 tetor, të mos rrinë në shtëpi, por të dalin e t’i zgjedhin më të mirët në mesin e serbëve, ndërsa atyre që dëshirojnë t’ua marrin të drejtën për të votuar t’u tregojnë se do t’i zgjedhin ata që luftojnë për interesat e tyre e jo ata që heshtin”, ka thënë Simiqi.

E ndërkaq krerët e Listës Serbe kanë zhvilluar fushatë në komunën e Ranillugut, me ç’rast kanë përcjellë punimet në ndërtimin e QMF-së.

Kryetari i LS-së, Goran Rakiq, ka thënë se Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit dhe të Vuçiqit do të hapë vende të reja të punës. “I porosis qytetarët se Lista Serbe, e cila zbaton politikën e Aleksandar Vuçiqit, do të vazhdojë me investime. Jo vetëm që premtoj, por edhe i garantoj se shumë shpejt do të hapin vende të reja të punës”, ka thënë Rakiqi, ndërsa Dalibor Jevtiq ka thënë se edhe në mandatin e ardhshëm serbët do t’i përfaqësojë Lista Serbe.

Kryetari i Listës Serbe dhe njëkohësisht kryetar i Mitrovicës Veriore ka premtuar se në veri të Mitrovicës do të ndërtohet një stadium i futbollit me kapacitet prej 5 mijë ulëseve.

“Ky objekt sportiv do të ndërtohet me mjetet e Qeverisë së Serbisë, në kuadër të ciklit të investimeve, të cilin e ka premtuar presidenti Aleksandar Vuçiq”, tha Rakiqi.

Edhe kryetari paralel i Zveçanit, Ivan Todosijeviq, ka paralajmëruar investime në komunën e Zveçanit, në projekte që mbështeten nga Qeveria e Serbisë.

E në anën tjetër SLS-ja e Sllobodan Petroviqit ka njoftuar të mërkurën se janë suspenduar nga puna dy anëtarë të partisë së tij, të cilët janë kandidatë për deputetë të kësaj partie ose janë familjarë të kandidatëve për deputetë. “Edhe një anëtar i SLS-së është suspenduar nga puna, bëhet fjalë për Sllaxhana Gjokiqin, të cilës të mërkurën i është dorëzuar vendimi për suspendim për tre muaj, për shkak se vajza e saj Sandra ndodhet në listën e kandidatëve të SLS-së për deputete”, thuhet në një njoftim të SLS-së për medie.

E ndërkaq një ditë më parë Sasha Gjorgjeviqit, anëtar i SLS-së nga Shtërpca, punëtor i QKMF-së në Shtërpcë, i është dorëzuar vendimi për suspendim. “Zonja Gjokiqi ka marrë urdhër të qartë që vajza e saj duhet të tërhiqet nga lista dhe që ajo të tërhiqet edhe nga KKZ-ja, ku partia jonë ka kandiduar, e cila me vite ka punuar në mënyrë profesionale dhe pa problem”, ka thënë mes të tjerash Petroviqi./ZËRI