Lista Serbe do ta marrë vendimin për pjesëmarrjen në institucione të Kosovës në koordinim me Beogradin

1 javë më parë

Lista Serbe do ta marrë vendimin për pjesëmarrjen në institucione të Kosovës në koordinim me Beogradin

Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Sllavko Simiq ka deklaruar se vendimin për pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës do ta marrin në koordinim me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, Listës Serbe me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës i takojnë pozicione të caktuara.

“Ata në Prishtinë duhet të dinë nëse dëshirojnë të formojnë Kuvendin e Kosovës se është e nevojshme që Lista Serbe të emërojë një anëtar të kryesisë, domethënë të emërojë dhe votojë një zëvendëskryetar të kuvendit, pasi kërkohet pëlqimi i kryetarit të Listës Serbe për të përcaktuar qeverinë e ardhshme”, tha ai për TV Prva, transmeton Klan Kosova.

Të enjten, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se Lista Serbe duhet të këmbëngul për të qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Përndryshe sipas tij nuk do të respektohej vullneti i qytetarëve serbë dhe se ata nuk do të ishin të trajtuar barabartësisht.