Lista esenciale e barnave është e nënshkruar, por ende s’ka furnizim për pacientët

8 muaj më parë

Lista esenciale e barnave është e nënshkruar, por ende s’ka furnizim për pacientët

Edhe pse më 20 shtator të vitit 2019 ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte nënshkruar listën esenciale të barnave, ku edhe u futën rreth 100 barna të reja, ende nuk ka filluar furnizimi me të gjitha produktet nga kjo listë.

Institucionet shëndetësore publike në vend vazhdojnë të mos jenë të furnizuara me gjithë materialin shpenzues e me barnat, të cilat janë të nevojshme për pacientët, këta të fundit përsëri po e mbajnë vetë barrën e sigurimit të tyre.

Duke mos dhënë shumë informata, zyra për informim në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës ka thënë për “Zërin” se ka filluar furnizimi nga lista e re esenciale për artikujt të cilët janë kontraktuar. Sipas saj, artikujt e rinj janë në procedura të prokurimit, me të cilët edhe pritet furnizimi, shkruan “Zëri”.

Furnizimi me barna dhe me material shpenzues qe një kohë të gjatë nuk është duke i përmbushur të gjitha nevojat e pacientëve. As ministri i kaluar i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nuk arriti t’i përmbushë të gjitha nevojat e institucioneve publike shëndetësore për produkte medicionale.