Ligjvënësit kërkojnë unifikim të qëndrimeve në diplomaci

1 muaj më parë

Ligjvënësit kërkojnë unifikim të qëndrimeve në diplomaci

Kryesia e Kuvendit të Kosovës dje e ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar kryesisht për agjendën ndërkombëtare të Kosovës.

Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila theksoi se gjatë mbledhjes Kryesia e ka bërë propozimin për formimin e grupeve të miqësisë, në të cilat janë të përfshira të gjitha rajonet e botes.

Në lidhje me këtë Osmani ka deklaruar se është diskutuar edhe formula që do të shfrytëzohet për ndarjen e përfaqësimit në këto komisione nga pozita dhe nga opozita.

Mirëpo Kryesia nuk ka marrë vendim që këtë të enjte të mbahet seancë plenare, ashtu siç ishte paraparë në fillim të kësaj legjislature. Kryeparlamentarja theksoi se seanca e ardhshme parashihet të jetë për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për shkak të procedurave të gjata të bartjes së këtyre dokumenteve nga Qeveria në Kuvend këtë të enjte nuk do të ketë seancë.

“Ne kemi pritur që sot (e martë) të marrim një sërë materialesh nga Qeveria, që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe t’i vendosim në seancë plenare. Por procedurat ligjore të kalimit nga Qeveria në Kuvend po marrin kohë, meqë po duhet gjithçka të niset nga fillimi. Besoj të mërkurën arrijnë, por në aspektin e përgatitjes jemi vonë, prandaj për këtë të enjte nuk do të ketë seancë”, ka thënë Osmani./Zëri/

Lajme nga rubrika