Ligji për investime strategjike, i “bllokuar” në Kushtetuese

3 vite më parë

Ligji për investime strategjike, i “bllokuar” në Kushtetuese

Ligji për investime strategjike i cili konsiderohej nga përfaqësuesit qeveritar si shpëtim për zhvillimin ekonomik të vendit, ka mbetur i “bllokuar” në Gjykatën Kushtetuese, tash e katër muaj.

Ky dokument kishte përfunduar në institucionin më të lartë që merret me shqyrtimin e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, në të njëjtën kohë me Ligjin për Trepçën.

Si njëri ashtu edhe tjetri është dërguar në Kushtetuese nga deputetët e Listës serbe.

Përderisa, Gjykata Kushtetuese është treguar më e shpejt në shqyrtimin e lëndës për Trepçën, njësoj nuk ka vepruar me Ligjin për investime strategjike.

Në një përgjigje për AktivPress, Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimi për ligjin në fjalë është gati, dhe është në fazën përgatitore për publikim.

Kushtetuesja ka dhënë edhe shpjegimin pse është shtyrë vendimmarrja.

“Shqyrtimi i kësaj lënde është bërë brenda afatit ligjor të parashikuar. Arsyeja për shtyrjen e vendimmarrjes nga afati fillestar është se, Gjykata ka kërkuar informata shtesë nga Kuvendi i Kosovës përkitazi me kërkesën e parashtruar”, thuhet në përgjigjen që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë për AktivPress.

Në fakt, me rregullore, Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtoj një lëndë brenda 60 ditësh nga dita e pranimit të tij.

Për Trepçën kishte reaguar më shpejtë pasi gjiganti metalurgjik rrezikonte të shkonte në likuidim.

Lista Serbe, i pati kundërshtuar të dyja ligjet me arsyetimet se Qeveria e Kosovës po përzihej në pronën që ishte edhe e Serbisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe Slavko Simiq pati theksuar se Ligji për investime strategjike e lejon që qeveria e Kosovës lirshëm të disponojë me pasuritë e Republikës së Serbisë, Kishën Ortodokse Serbe , asetet e kompanive serbe dhe komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë Simiç,

Për Ligjin për investime strategjike është deklaruar disa herë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

“Ligji i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Faktikisht, këtu rritet transparenca për dhënien e aseteve në shfrytëzim, për shkak se janë dy mundësi, njëra është që Qeveria të përgatisë një listë të projekteve, me të cilat ajo mund t’iu qaset investitorëve dhe kompanive serioze”, ka thënë ajo.

Pro këtij ligji janë deklaruar edhe njohës të ekonomisë, ndonëse nuk kanë munguar as vërejtjet e përfaqësuesve të bizneseve./AktivPress