1 muaj më parë

Ligji i Pagave thikë me dy tehe apo bombë e kurdisur?!

Ligji i Pagave thikë me dy tehe apo bombë e kurdisur?!

Ka vite, që është punuar në Ligjin Pagave të Zyrtarëve Publikë dhe po aq vite që i njëjti akt ligjor është shtyrë. U krijua përshtypja se në marsin e sivjetmë përfundoi odiseada e këtij Ligji dhe veçse pritej një dhjetor i këtij muaji që ai të niste me u zbatu.

Deri në finalizimin e tij u mbajtën takime, dëgjime publike, pati edhe reagime e ndërhyrje mbi tekstin e parë, edhe pas dorëzimit nga Grupi punues. Ndërhyrje pati në Qeveri, ndërhyrje nga Grupi parlamentar, secili sipas qejfit dhe interesit të gradacioneve të tyre politike, pa e vra mendjen se me këto lloj ndërhyrjesh do të krijonin probleme të reja.

Së fundi ndërhyri edhe Avokati i Popullit, me arsyetimin se ka pakënaqësi dhe diskriminim. E mbi këtë bazë reagoi edhe Gjykata Kushtetuese e cila pezulloi Ligjin deri në muajin mars.

Pas këtij vendimi, serish pakënaqësi, greva dhe kërcënime për përkeqësim të gjendjes në vend në rast se nuk zbatohet Ligji. Kjo situatë është krijuar në fazën e krizës qeveritare dhe në procesin e stërzgjatjes së bisedimeve për formimin e Qeverisë së Re. Shikuar në aspektin e gjendjes së krijuar, në këtë situatë, po del qartë se ky Ligj, lë përshtypjen se është një “bombë” e kurdisur për Qeverinë në ardhje, por edhe thikë me dy tehe, nëse i njëjti nis nga fillimi të shkruhet.

Është “bombë” për faktin se gjendjen edhe ashtu të rënduar në vend e bën edhe më të rëndë, në njërën anë, kurse në anën tjetër shfaqet edhe si pengesë për t’i shtyrë për para proceset e reformës në administratë.

Dihet tashmë se në raportin për MSA-në , Qeverisë në shkuarje iu llogarit si sukses, miratimi i Pakos Ligjore, ku bën pjesë edhe Ligji i Pagave. Ndërsa, me heqjen e tij nga rendi i ditës për zbatim, tash për tash, krijohet një situatë e re plot dilema. Me një fjalë, kur u vendos që ky Ligj të pezullohej, nuk janë analizuar sa duhet pasojat që sjell mbrapa.

Ndoshta, ka qenë më mirë, që Ligji të niste të zbatohej e gjatë procesit të zbatimit të eliminoheshin padrejtësitë ose të bëhej një rritje prej 25 për qind për kategorinë nën koeficientin 8 dhe në këtë mënyrë më lehtë edhe ishin përballuar padrejtësitë. Ngase, me fillimin e rishkrimit të Ligjit, do të merret shumë kohë, që nga koncept dokumenti, që së paku zgjatë nja tre muaj, pastaj debatet publike dhe procedurat e diskutimeve me secilin subjekt veç e veç, sikur u veprua deri tash.

Ky proces merr kohë. Pos kësaj, edhe Projekti i ri, pas rishkrimit do t’i prodhojë pakënaqësitë e veta dhe kjo përbën një goditje për procesin e reformës në administratë dhe në rrugëtimin drejt BE-së.

AktivPress