Lider i Evropës apo mbrojtës i interesave tradicionale franceze?

3 javë më parë

Lider i Evropës apo mbrojtës i interesave tradicionale franceze?

Shkruan: Auron Dodi

Gjermania iu përgjigj këtë javë zyrtarisht pikëpyetjes franceze për të ardhmen e NATO-s. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s se NATO-ja duhet të zhvillohet, në pikëpamje konceptuale dhe politikisht, me “qeliza politike të gjalla”.

Gjermania kërkon që NATO-ja të mos fiksohet vetëm në politikën e mbrojtjes, por të theksojë funksionin e saj politik. Për këtë ministri Maas propozoi ngritjen e një komisioni ekspertësh, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: për të paraqitur propozime si politike, ashtu edhe për çështje transatlantike.

Ky propozim gjerman pranon atë që thonë francezët: se ka probleme në bashkëpunimin brenda NATO-s. Shkasin për kritikën e fundit me “fjalë drastike” ndaj NATO-s, Presidenti francez Macron e mori nga dy veprime të pakoordinuara me aleancën të dy anëtarëve të NATO-s: SHBA dhe Turqisë. Presidenti Trump i tërhoqi trupat nga Siria dhe Presidenti turk Erdogan marshoi në Siri pa u konsultuar me Aleancën. NATO-ja është e vdekur klinikisht dhe nuk dihet nëse funksionon klauzola e mbrojtjes reciproke ndaj një shteti anëtar, deklaroi në këtë kuadër Presidenti Macron në intervistën, tashmë të famshme, me gazetën britanike “Economist”.

Funksionin e prishjes së statuskuosë, apo “disruptiv” siç cilësohet në Evropë stili i ri i Macronit, intervista me britanikët e arriti. Gjermania përpiqet tani me propozimin e saj ta fusë debatin në linja konstruktive, në mënyrë që besimi ndaj NATO-s të mos tronditet në themel. NATO-s si aleancë ushtarake nuk i vihet pikëpyetje, edhe nëse Macroni ka të drejtë në 95% të atyre që thotë, deklaroi edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.

Ne shtrojmë pyetjen a mund të mbështetemi vërtet në një aleat si Franca, që gjithsesi investon pak për Aleancën, ishte reagimi i zemëruar që erdhi nga Varshava. Përballë kësaj, sekretarja franceze e shtetit për Evropën, Amélie de Montchalin argumenton se Macroni i shtroi qëllimisht tani pyetjet e tij: në prag të kremtimit pas dy javësh të 70 vjetorit të Aleancës dhe para fillimit të punës së Komisionit të ri Evropian.

Aftësia e Macronit për t’u vënë gjërave emrin që kanë dhe guximi i tij ka simpatizantë edhe në Gjermani. Por ajo që çudit me veprimet e Macronit këtë vit është se mjaft vetëve ai u kujton rolin që luanin në BE deri tani britanikët e parehatshëm: ata kundërshtonin (shpesh me sukses) përpjekjet për politika të përbashkëta evropiane, p.sh. në mbrojtje, të cilat do të lejonin thellimin e unifikimit në BE. Kjo në një kohë kur deklaratat e Macronit janë të kundërta me veprimet e tij bllokuese këtë vit: ai ka këmbëngulur për thellimin e BE, në mbrojtje, në fushën e sigurisë dhe me bashkimin bankar.

Veprimet e Macronit janë kontradiktore. Ai flet për forcimin e BE, por veprimet e tij dobësojnë pozicionin evropian duke bllokuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Macroni kërkon një ushtri të fortë evropiane, por ushtarakisht nuk e forcon kontributin evropian në NATO: Franca nuk pranon p.sh. të drejtojë batalione të përbashkëta të NATO-s në Estoni. Ai kërkon autonomi ushtarake nga SHBA. Por pa SHBA, ushtritë e dobësuara evropiane nuk e mbrojnë dot kontinentin. A është Franca në fakt më e interesuar që të marrë rolin e superfuqisë ushtarake në një Evropë të dobësuar? Dhe cilat janë me të vërtetë synimet e Macronit?

Te shumë vëzhgues po forcohet përshtypja se motiv frymëzues për Macronin është bërë dëshira për të kufizuar fuqinë politike të Gjermanisë në Evropë. Kjo ka qenë traditë e politikës franceze, veçanërisht deri në ribashkimin e Gjermanisë. Veprimi i fundit bllokues i Presidentit francez, vetoja për fillimin e negociatave për anëtarësim të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shihet si një hap tjetër në këtë drejtim.

“Nëqoftëse se Gjermania do të zgjerojë sferën e saj të influencës, nuk mund ta bëjë këtë falas”, i tha një politolog francez së përditshmes Le Monde. Ai nuk përmendi përpjekjen e Francës për të rigjallëruar marrëdhëniet me Serbinë, gjë që u duk në vizitën në korrik në Beograd të Presidentit Macron. Dhe bllokimin nga Franca të liberalizimit të vizave të BE me Kosovën. A do t’u kushtohet Franca në të ardhmen kryesisht lidhjeve të saj tradicionale? Fakt është se Franca nuk sheh përfitim nga zgjerimi i BE në vendet e Evropës lindore dhe jugore. Ky zgjerim ka theksuar rolin qendror të Gjermanisë në BE.

Në shkurt të këtij viti papritur Franca e shpalli veten kundërshtare të tubacionit të furnizimit me gaz nga Rusia, Nordstream 2. Kundërshtimi i Francës ndaj këtij tubacioni, me të cilin Gjermania do të furnizohet me gaz rus e forcoi qëndrimin kritik për këtë projekt të Komisionit Evropian. Kompromisi u arrit me shumë vështirësi.

Mungesa e re e vullnetit nga Parisi për t’u koordinuar me Berlinin për Evropën, shkakton habi në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman, Maas kërkoi në kuadër të takimit të NATO-s që të dyja vendet të dakordohen “për premisat strategjike – në mënyrë që të mos shkaktohet dëm” i rëndë. Në kuadër të takimit të Partisë Popullore Evropiane në Zagreb, kancelarja Merkel tha se BE do të bisedojë me hollësi me Macronin, edhe për zgjerimin e BE.

Kjo në një kohë kur revista gjermane “Der Spiegel” shkruan këto ditë se kur punonjësit e Kancelarisë Federale pyesin në Paris homologët se pse Franca nuk po i koordinon qëndrimet me Gjermaninë, përgjigjja që vjen nga bashkëpunëtorët është se ata kanë vetëm ndikim të kufizuar te Presidenti i tyre. Kjo të kujton marrëdhëniet e Trumpit me bashkëpunëtorët. Prandaj një analist flet për një lloj “trampizmi intelektual” që vjen për momentin nga Parisi.

Linja tjetër e re e politikës së jashtme franceze, afrimi me Rusinë, flet për këmbënguljen franceze për të ndjekur në BE një politikë të jashtme të ndryshme nga ajo e frymëzuar prej Gjermanisë. Fillimisht me këmbënguljen e Macronit, Rusia fitoi së fundi të drejtën e votës në Këshillin e Evropës në Strasburg. Pas kësaj, pa u konsultuar me gjermanët, Macroni dërgoi në Moskë ministrat e tij të jashtëm dhe atë të mbrojtjes. Synimi i shpallur: për të nisur bashkëpunim të ri sigurie (të BE!) me Rusinë.

Argumenti i Macronit është që Rusia ndodhet në Evropë dhe Evropa nuk ka interes ta lërë Rusinë të thellohet në afrimin e nisur me Kinën. Për këtë, thotë Macroni, duhet rimenduar me vetëkritikë politika evropiane ndaj Rusisë, nisur nga ngjarjet rreth Ukrainës.

Parimisht edhe Gjermania nuk është e mbyllur ndaj gjetjes së rrugëve për shtensionim marrëdhëniesh me Rusinë. Por këtë e pengon fakti se nuk ka ndryshim në politikën ruse, sidomos ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë. Kështu që heqja e sanksioneve të BE ndaj Rusisë për momentin nuk vjen në diskutim. Këtë hap e kundërshton jo vetëm Gjermania, por në radhë të parë shtetet lindore të BE dhe të NATO-s.

Vlerësimi demonstrativ që Macroni dhe kryeministri hungarez Viktor Orban (gjithashtu ithtar i afrimit me Rusinë) i bëjnë së fundi njëri-tjetrit, nuk ndikon aspak për ta afruar Macronin me shtetet e tjera lindore.

Macroni është i vetmuar, konstatonte javët e fundit një analist i New York Times. Me padurimin e tij, ai ka lënduar jo vetëm lindorët, por edhe Gjermaninë./DW/