Letra e mohuar e ministres së Integrimeve Evropiane për sallën koncertale

3 muaj më parë

Letra e mohuar e ministres së Integrimeve Evropiane për sallën koncertale

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të enjten ia ka konfirmuar Kohës Ditore se mjetet janë ridestinuar.

11.4 milionë eurot që mund të ishin të dedikuara për sallën koncertale me IPA 2019 janë rialokuar për dekomisionimin e ‘Kosovës A’”, shkruhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së. Aty sqarohet se dekomisionimi – që është procesi i mbylljes së këtij termocentrali – del të jetë më i kushtueshëm sesa që është llogaritur në fillim. BE-ja ka thënë se salla mund të përkrahet. Por më vonë.

“Nëse do të identifikohet toka për sallën koncertale, projekti mund të financohet, por me programet e ardhshme të IPA”, shkruhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Sa i përket asaj që Komuna ka thënë se mjetet e zotuara ishin 15.4 milionë, siç ka raportuar gazeta të enjten – zyrtarët komunalë kanë sqaruar se bëhej fjalë për një shumë preliminare që shkonte nga 12 deri në 15 milionë euro. Për gati një vit, kjo ka qenë shuma e përmendur si e zotuar për këtë projekt.

Sipas kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkaktar për këtë ridestinim është ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, pasi ajo kishte kërkuar që fondet të përdoreshin në një tjetër projekt. Të mërkurën gazeta e kishte pyetur ministren për këtë. Ajo e kishte mohuar një letër që, sipas Ahmetit, i është dërguar direkt Brukselit.

“Nuk është e vërtetë që kemi kërkuar ridestinimin e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve”, i ka thënë Hoxha gazetës të mërkurën, përderisa kishte konfirmuar ridestinimin.

Por këtë letër Koha Ditore e ka siguruar të enjten.

Letra mban datën 5 qershor. Është nënshkruar nga Dhurata Hoxha, në cilësinë e ministres së Integrimeve Evropiane dhe koordinatores nacionale për Fondet IPA.

I është adresuar Komisionit Evropian, saktësisht drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Ruiz Calavera. E njëjta letër u është përcjellë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Shkresa mban titullin: “Implementimi i projekteve të IPA-s”. Në paragrafin “Edukimi dhe kultura nën IPA 2019” propozohet ridestinimi i mjeteve të sallës koncertale.

“Ndërtimi i sallës koncertale në Prishtinë është programuar nën IPA 2019 (11.4 milionë euro). Parakushti kryesor, një lokacion i përshtatshëm për sallën e koncerteve nuk është siguruar ende bazuar në faktin se lokacioni i vendosur nga Komuna e Prishtinës është i kontestuar ligjërisht. Kësisoj ne bashkërisht me Zyrën e BE-së kemi identifikuar një tjetër projekt, ku fondet nën IPA 2019 do të duhej të programohen”, shkruhet në letër. Ministrja Hoxha të enjten, pasi i është përcjellë letra nga gazeta, nuk është përgjigjur fare. E pak pasi gazeta ia ka përcjellë letrën, Ministria e Integrimeve Evropiane ka lëshuar një “Sqarim për opinion”. Tek njofton se MIE-ja nuk është ajo që i ridestinon mjetet BE-së, gjë që nuk është raportuar, mohon edhe ta këtë kërkuar këtë. Ndër të tjera, aty ka akuza edhe për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës. Përpos takimeve që kemi pasur, më 2 maj 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane i ka dërguar shkresë kryetarit Ahmeti duke i kërkuar të na informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve. Kurse kryetari Ahmeti nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën tonë, ndërkohë që tash paraqitet si i brengosur”, shkruhet në sqarim. Aty shkruan se MIE “nuk ka shkruar letër për ridestinim, por ka qene BE-ja që ka vendosur dhe na ka njoftuar lidhur me këtë vendim”. “Kryetari Ahmeti mosangazhimin e vet për të gjetur një lokacion tjetër për ndërtimin e sallës nuk mund ta mbulojë me shfajësim dhe hedhje të fajit aty ky nuk është!”, shkruhet në sqarim, ani pse vetë udhëheqësja e kësaj ministrie a ka nënshkruar letrën ku thotë se kanë “identifikuar një tjetër projekt ku fondet nën IPA 2019 do të duhej të programohen”.

Detaje të tjera mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.