Ledion Halitaj, kitaristi 10-vjeçar me 10 çmime ndërkombëtare

2 muaj më parë

Ledion Halitaj, kitaristi 10-vjeçar me 10 çmime ndërkombëtare

Sapo ka mbushur 10-vjec. Thuajse aq është edhe numri i çmimeve që ka fituar duke luajtur kitarën klasike.

“Këtë vit kam fituar 6 çmime të para dhe 2 çmime të publikut”, tregoi 10-vjeçari.

Ledion Halitaj nga Prishtina ka më pak se dy vjet që luan kitarë, por shenjat tregojnë që rruga e tij në interpretimin e këtij instrumenti do të jetë e gjatë.

Por, si nisi rrugëtimi i tij me kitarën?

“Për vitin e ri kam pasur një dhuratë nga prindërit një kitarë dhe nisa ta ushtroj. Kur kam qene i vogël kam dashur të behëm arkitekt”, tha ai.

Disa prej konkurseve ku ka marrë pjesë kanë lënë gjurmë tek 10-vjeçari.

“Gara më e preferuar ka qenë në Transilvani të Rumanisë për moshën më të madhe se imja, më e bukura por edhe më e vështira.

Mësuesi i tij i kitarës, Erhan Mujka na thotë se suksesi nuk do të ishte i mundur pa një punë të madhe, përkushtim dhe mbështetje të fortë.

“Nëse nuk funksionon trekëndëshi prindër-mësues-fëmijë nuk ka sukses. Disa fëmijë nuk i dëgjojnë këshillat, ushtrohen më pak se një orë, por Ledioni ushtrohet çdo ditë një orë dhe e mori shumë seriozisht, pashë që çdo ditë përparonte”, tha Erhan Mujka.

E ky sukses u dëshmua vetëm disa muaj pasi kishte nisur mësimet në kitarë në garën e tij të parë, ku pjesëmarrjen e konsideruan thjesht një test.

“Isha pjesë e jurisë në Transilvania Guitar Festival e pashë si mundësi testimi për Ledionin, por ai fitoi çmimin e parë”, tha mësuesi.

Ai beson se Ledioni do të ketë jetë shumë shpejt një kitarist i njohur.

Gara e radhës ku Ledioni pret të marrë pjesë, është ajo e fillimit të nëntorit në Pejë, prej ku pret të kthehet sërish me një çmim. Deri atëherë duhet ende shumë punë./Euronews Albania/