LDK-ja thotë se i ka votat për formimin e qeverisë

1 muaj më parë

LDK-ja thotë se i ka votat për formimin e qeverisë

Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet që të votohet të mërkurën.

Lidhja Demokratike e Kosovës, së cilës Gjykata Kushtetuese ia njohu të drejtën e formimit të qeverisë, ka dorëzuar në kuvend kërkesën për mbajtjen e seancës për të mërkurën në ora 11:00.

“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Thirrja e seancës së kuvendit nga ana e LDK-së ndodhi pasi të hënën Gjykata Kushtetuese publikoi atgjykimin e plotë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili i dha mandatin për formimin e qeverisë, Avdullah Hotit të LDK-së.

Gjatë një konference për media pas dorëzimit të kërkesës në Kuvend, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se pas dakordimit me partnerët, e kanë të garantuar formimin e qeverisë.

“Pra, janë njoftuar të gjitha partitë, partnerët e koalicionit për seancën që do të mbahet ditën e mërkurë në ora 11:00 dhe normalisht e kemi të garantuar edhe formimin e qeverisë”, tha Gashi.

Por, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, e quajti aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si “skandaloz” dhe të “fabrikuar”, duke kërkuar rigjykim për këtë çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës synon që të formojë qeverinë e re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisëm Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.