4 javë më parë

Larg dhe afër

Larg dhe afër

Përse duhet ta vështirësojmë kaq shumë kufizimin e daljeve dhe vet (izolimin)?! Në fund të fundit a nuk po funksionojmë të larguar e distancuar nga njëri tjetri?! Sa herë pimë kafe nëpër lokale, veç me ata që i kemi në tavolinë nuk komunikojmë! Kemi të tjerët që janë larg në atë komunikimin në distancë, me të cilët flasim dhe e konsiderojmë më të afërt, se personin që e kemi përballë.

Nëse edhe ai (ajo) nuk ka “privilegjin” e qasjes në rrjet, mbetet i vetmuar, gojëkyçur e si huti, duke na shikuar se si ne përmes komunikimit paralel, ia bëjmë me dije sa pak i rëndësishëm është për ne! Apo, a nuk jemi ne ata që prej kohësh urimet nga zemra i kemi zëvendësuar me gjuhën e re të shenjave universale të internetit?!

Vit i Ri, Bajram, Krishtlindje, Pashkë, Ditë Pavarësie, Ditë Flamuri … u shmangemi njerëzve në egoizmin tonë për t’u arratisur diku në mal, bregdet a kudo dhe për urime dërgojmë një urim të gatshëm me aq gabime gjuhësore, apo në gjuhë të huaj, apo vec me ndonjë zemër a përqafim të rrejshëm?! Përse tani qenka aq e vështirë që të mosi takojmë njerëzit, të cilët edhe ashtu i neglizhojmë?

Përse na duhet ajo kafja e mitizuar e mëngjesit me patjetër, qoftë edhe në furrë buke a shitore ushqimi edhe në fundjavë, përderisa ajo pihet shumë mirë edhe në shtëpi. Dhe, në ironinë e barsoletave të kohës së këtij virusi, pse të mos shfrytëzohen përparësitë e pazakonshmërisë?! Në fund të fundit, janë gjendjet e tilla që na mundësojnë të sprovojmë e testojmë veten, format e reja të komunikimit, të pasurohemi me dije të reja… Të mbash larg të tjerët, para dhe mbi të gjitha do të thotë t’i duash.

Vetëm ata të cilët i duam në situata të pazakonshme, i mbajmë larg nga vetja, për arsyen madhore: sepse ta duash dikë fillimisht nënkupton ta ruash nga vetja. Paradoksale? Asesi jo? Përkundrazi. “Servo nga limoni një pije të ëmbël”-një thënie e bukur e një autori të mirë (Aid El-Karni), në ditët e tilla, mund t’i shërbejë atij komunikimi që e kemi prishur me kahen që u kemi dhënë formave të avancuara që na ofron jeta e “rrjetëzuar”.

Sa herë kemi munguar në bukurinë e video komunikimeve të gjata të fundjavave me njerëzit që kemi larg, sepse ishim tepër të zënë me “bredhjet dhe arratisjet tona vetjake nga metropolet” për disa orë, apo atë natën e së shtunës dhe mëngjesin e vonshëm të së dielës! Do t’na dinë për nder, do të ndjejnë se i duam, do të kuptojmë se jemi të zotë të ndajmë atë kohën tonë që me aq egoizëm ia ndajmë veç vetes.

Me atë mitin e limonit (edhe për virusin), ditët e tilla në pazakonshmërinë e tyre, mund të jenë mundësi për krijimin e zbatimin e dijeve të reja (jo vetëm për virusin). Me më shumë dije, edhe ‘nevojat’ për vetë-promovimin rutinor nga dreka, darka, tryeza plotë, përqafime… shpesh të mbushura me hipokrizi dhe synim për krijim të përshtypjeve për gjendje e emocione të shtirura, do reduktohen. Dhe, ëmbëlsia e limonit të ithtë për ata që drejtpërdrejt përballen me gjendje të pazakonshme (nuk dua t’i quaj të jashtëzakonshme e të mbushura me panik), për ata që drejtpërdrejt merren me to.

U lumtë atyre nëpër duart e të cilëve po kalojnë ata në nevojë. Është koha e atyre të vërtetëve, atyre të cilëve shpesh nuk ua dimë emrat sepse ata nuk vuajnë për promovime e ‘selfie’ nga salla e korridore spitalesh, por që me punën e tyre arsyetojnë betimin për shkeljet e të cilit shpesh i fajësojmë. Për ata, të cilët zbusin apo vështirësojnë (vet) izolimin, edhe aty është radha për të dallueshmit.

Mirë që vrapojnë kudo, mirë që po mundohen të sjellin gjithçka, por është koha e përzgjedhjes e jo gjithçkaje. Asesi kufizim lirie, por as ‘infodemi’, që në vend të shërbimit për qytetarët (harroni audiencën si synim për klikime), nxjerr në sipërfaqe fillimisht injorancën profesionale. Është koha për të vërtetit edhe këtu dhe si zgjidhje praktike të paktën mos u krijoni tollovi atyre, që nga prania fizike nëpër konferenca për media e deri te përhapja e informacioneve pa kurrfarë standardi gazetaresk.

Nuk është koha as për të manifestuar garën e ‘ekskluzivitetit’ me numra e burime; është koha e saktësisë dhe dobisë mediatike. Për qeverisjen dhe aspektin e komunikimit të saj me të vet (izoluarit): mund t’i arrini të gjithë dhe kudo, tashmë shumë më lehtë mund të tërhiqni vëmendjen e tyre, madje mund edhe të kaloni në nivel tjetër format e reja të e-qeverisjes, edhe për konferencat për media, edhe për komunikimin e shtuar drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjeteve sociale dhe formave tjera në kuadër të e-politikës. Por, si çdo gjendje e pazakonshme, edhe kjo, të shpresojmë të mos zgjas shumë gjatë!./AktivPress/