Lapsi, ngjyrat dhe teknologjia bëjnë bashkë Gjergj Kastriotin dhe Adem Jasharin në pikturat e Drilon Pantinës

3 javë më parë

Lapsi, ngjyrat dhe teknologjia bëjnë bashkë Gjergj Kastriotin dhe Adem Jasharin në pikturat e Drilon Pantinës

Lapsi dhe ngjyrat janë kombinim goxha i mirë i shfaqjes së mendimeve të një artisti, madje pa thënë as edhe një fjalë të vetme.

Mendja artistike e një autori shpërfaqet me shumë kuptim brenda një pëlhure, që lexohet me sy kritik nga opinioni publik kur shohin pikturën duke e futur mendjen në funksion për të kuptuar se cili është motivi ose domethënia e asaj pikture.

Artisti brenda katër mureve nxjerr “shpirtin” e tij nëpërmjet ngjyrave, duke ofruar dashuri përmes tyre.

Por, kur bashkëpunojnë arti dhe teknologjia shfaqet përpara diçka bashkëkohore duke iu përshtatur edhe kohës.

Ndoshta një art të tillë edhe mund të mos ta keni parë më herët, apo po e shihni për herë të parë tani.

Një pikturë digjitale zgjon kërshërinë për të parë si realizohet.

Kjo formë e re e pikturimit po sillet për të gjithë artdashësit nga një i ri i talentuar.

Është ai Drilon Pantina, i cili në një intervistë për Klankosova.tv tregoi për punën, motivin, mënyrën e realizimit dhe shumëçka tjetër.

Intervista e plotë:

Klan Kosova: Qe sa kohë keni filluar të merreni me këtë lloj të pikturës?

Drilon Pantina: Historia ime me pikturën digjiitale ka filluar në vitin 2012. Fillimisht kam eksperimentuar me programe të thjeshta softuerike për editim dhe kam mësuar pak a shumë prinicipet e përgjithshme të punës. Rreth një viti më vonë kam punuar me një program editimi që është pak a shumë i ngjashëm me ‘Photoshop’-in. Aty kam filluar me editime pak më të komplikuara dhe më pas kam kaluar në ‘Photoshop’.

Klan Kosova: Si të ka lindur ideja për këtë lloj të artit?

Drilon Pantina: Ka ardhur krejt natyrshëm. Gjithmonë më ka tërhequr ana vizuele e gjërave dhe ideja për të kombinuar këtë me pasionin për teknologjinë e kompjuterit ka qenë motivi kryesor. Sigurisht e ardhmja e këtij profesioni dhe mundësitë për zhvillim karriere kanë patur rolin e tyre në këtë drejtim.

Klan Kosova: A jeni ju i pari i cili keni arritur me këtë formë të pikturimit? Ku e keni gjetur inspirimin?

Drilon Pantina: Jo, sigurisht që nuk jam i vetmi. Sot ka shumë të tjerë që merren me këtë lëmi.

Sa i përket inspirimit, mund të them se në fillim jam ndikuar nga artistët tjerë, si, ta zëmë Alex Koshelkov dhe Lewis Moorhead. Ideja për të patur shkathtësitë e tyre për t’i dhënë formë imagjinatës sime në formë të pikturave digjitale më ka nxitur gjithmonë.

Klan Kosova: Si arrini ta realizoni këtë punë? Nëse keni mundësi na shpjegoni në pika të shkurtëra si bëhet pikturimi digjital?

Drilon Pantina: Në rend të parë vie koncepti dhe pak a shumë ideja se si do duket produkti final. Pastaj fillon të gjesh material rreth të cilit zhvillohet piktura. Kjo fazë është ndonjëherë e vështirë dhe kur nuk ka ndonjë zgjedhje të mirë duhet zhvilluar diçka vetë. Në atë rast duhet siguruar që gjithçka përkon me idenë finale. Pas kësaj e përfundojmë draft-in e parë. Pastaj, duhet punuar me detaje dhe kjo është pjesa e cila kërkon më së shumti kohë. Në fund duhet rishikuar disa herë për përmirësime të mundshme.

Klan Kosova: Cilat janë motivet ose domethëniet e pikturave?  Na i trego tre prej tyre?!

Drilon Pantina:

1.Osiris

Osiris, apo Usir nga latinishtja, është figurë e rëndësishme mitologjike e Greqisë antike dhe simbol i fuqisë.

Punimi ka qenë për një projekt të Flaka Krelanit e cila njihet për vokalin e saj muzikor dhe piktura synon të paraqesë këtë.

Warrior Return (Kthimi i luftëtarit)

Ky është një rrëfim i imagjinuar i një prijësi luftarak që qëndron triumfalisht derisa shikon gjurmët e shkatërrimit në vendin e tij.

Third November (Nëntori i tretë)

Ky është në fakt projekti im më i dashur dhe të cilit i kam kushtuar më së shumti kohë. Ideja më ka ardhur në nëntorin e vitit 2014. Në të kam bashkuar dy figurat ndër më të rëndësishmet të historisë sonë [Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Adem Jashari} duke vështruar vendin të lirë ashtu si e deshën. Sigurisht, edhe shqiponja e lirë nuk kishte si të mungonte aty.