Lansohet videoklipi i këngës emocionale “I Cry” nga Usher

4 javë më parë

Lansohet videoklipi i këngës emocionale “I Cry” nga Usher

Këngëtari i shumëshpërblyer amerikan, Usher, e ka lansuar një videoklip të vetëdrejtuar të këngës së tij të fundit, “I Cry”.

Videoklipi u lansua më 4 korrik për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, dhe në të Usher shfaqet duke performuar drejt në kamerë, derisa në prapavi shihen pamje nga protestat e lëvizjes “Black Lives Matter”, transmeton Koha.

Sipas një postimi në Instagram, Usher do t’i dhurojë të gjitha të ardhurat e fituara nga kjo këngë, për organizatën joprofitabile për zhvillim të komunitetit “Local Initiatives Support Corporation”. Nga donacioni i këngëtarit të njohur të muzikës R&B, do të përfitojnë bizneset e vogla që janë pronë e personave afrikano-amerikan

“Kjo këngë është inspiruar nga dëshira për t’i mësuar djemtë e mi, që është në rregull për burrat të përjetojnë emocione të thella dhe të qajnë,” kishte deklaruar Usher përmes një postimi në Instagram, pak para lansimit të këngës.

“I Cry” fillimisht e pati premierën më 27 qershor, kur këngëtari e performoi atë për herë të parë për publikun, si pjesë e koncertit bamirës “Global Goal: Unite for Our Future”. Ngjarja e transmetuar live ishte organizuar nga organizata “Global Citizen” dhe Komisioni Evropian, me qëllim të mbledhjes së fondeve për t’i ndihmuar komunitetet e prekura në mënyrë disproporcionale nga pandemia e koronavirusit.