5 ditë më parë

“Lajmi i fundit”: King Kongu ishte shqiptar dhe ka jetuar në Trojë!

“Lajmi i fundit”: King Kongu ishte shqiptar dhe ka jetuar në Trojë!

(Ca fjalë rreth shkrimit “Përballë neo-otomanizmit”, i publikuar në portalin Telegrafi, më 6 nëntor 2019)

Vitin e kaluar – kryesisht në mediat e Shqipërisë – plasohet një tjetër “margaritar” nga Fahri Xharra, se Troja e lashtë gjendet në Shkodër! Shkrimin ai e fillon kështu: “Është shumë e çuditshme sesi serbët kanë fakte dhe kanë guxim të shkruajnë ato gjëra historike që ne as që kemi guxuar t`i përmendim deri më sot”.

Xharra gjoja flet për librin “Troja në Shkodër”, të serbit Millutin Jaçimoviq, për të cilin thotë se është anëtar korrespondent i Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Petersburg. Sipas tij, Jaçimoviqi – të cilin e cilëson shkencëtar, autor të një “vepre të madhe historike” – “me fakte dhe në mënyrë shumë bindëse e shpjegon që Troja e vërtetë është në Shkodër” dhe se është falsifikim Troja që Shlimani (Heinrich Schliemann) e zbuloi në Anadollin e sotëm. Madje, shton se ky autor serb “na bindë që edhe Dardania nuk përkon me gjetjen e Shlimanit, sepse Dardania ka dalje në Adriatik”.

Në fakt, libri i Jaçimoviqit është një tjetër produkt i mediokritetit dhe i fantashencës serbe. Në shqip titulli i bie: “Troja – kryeqendra serbe, Shkodra”. Ai thotë se ilirët dalin nga serbët, e se serbët nga sllavët dhe se “trojanët janë bartësit e civilizimit serbo-sllav në kohët antike, ndërsa Troja është Shkodra, kryeqendra antike serbe”. Jaçimoviqi nuk është anëtar i Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Petersburg, sepse ekziston veç Akademia Ruse e Shkencave me seli në Moskë. Ai është anëtar i një OJQ-je koti të themeluar më 1991, që quhet Akademia e Petrovskës në Shën Petersburg, anëtar i së cilës mund të bëhet kushdo.

Por, lajmi i plasuar nga Fahri Xharra u përhap si përherë nga shumica e mediave të etura për “sensacion”, dhe sot është pjesë e debateve – siç vazhdon të jetë “zbulimi” i mëhershëm i një boshnjaku se kinse Troja gjendet në Bosnje, meqë me anije druri Eneu do ta kishte fort problem të shkonte nga Azia e Vogël në Apenine për ta themeluar Romën! Ndërkaq, keqkuptohet çdo tentim për ta demantuar këtë mediokritet sepse, në epokën e injorancës, për çfarëdo teme faktet nuk kanë më rëndësi. Në të tilla raste, për ballkanasit vlen thënia e filozofit francez, Denis Diderot: “E gëlltisim me qejf çdo gënjeshtër që na bënë lajka, por nëse i hedhim pak e nga pak të vërteta, na duket e hidhur”!

Faktet dhe e vërteta nuk kanë rëndësi fare për durrësakun Dorian Hatibi (që ndër të tjera actekët i quan kanibalë primitivë, teksa bota flet për Civilizimin Actek), i cili kur e përkujton Skënderbeun i liston gjërat që “’vëllezërit’ turq, nga dashuria për ne, na i hoqën për pesë shekuj”. Ndër të tjera, sipas tij, Perandoria Osmane ua paska ndaluar shqiptarëve, sidomos qytetit të tij të Durrësit, vazhdimin e tregtisë me Tunizinë, Francën e bile Ukrainën, tregti kjo që është bërë në shekujt V-VII?! Ndërkohë që, sipas tij, gjatë kësaj kohe “vendet skandinave jetonin akoma duke adhuruar pemën apo malin”!

Një sqarim veç për Ukrainën: tek në vitin 882 në histori përmendet Kievi, i themeluar nga fisi viking i quajtur Rus (pra nga skandinavët primitivë të Hatibit), ndërkaq emri Ukrainë përmendet në shekullin XII. Me kë pra shqiptarët kanë bërë tregti në vitet 400-600? Shqiptarët që fillimisht si fis ilir i quajtur Alban – i përmendur nga Plini në shekullin e I-rë – nuk kanë jetuar në Durrës; shqiptarët që si popull përmenden nga Mihail Ataliati më 1042 e nga Ana Komnena më 1081; ata që për dallim nga skandinavët ishin të krishterë e nuk adhuronin pemën e malin, por që, çuditërisht, para se fisi ilir Alban të përmendet si etnonim për një popull, përmenden si grup heretikësh (albanensët) që kanë jetuar në Shqipëri rreth shekullit VIII (Enciklopedia e Krishterë)? Shqiptarët që periudhën më të panjohur të historisë e kanë pikërisht atë të sundimit bizantin, e jo osman?

Hatibi reagon ndaj shkrimit “Universiteti mesjetar i Durrësit dhe Jafeti biblik që i krijoi shqiptarët mitikë” (publikuar te Telegrafi, më 5 nëntor 2019), shkrim ky që synonte të tregonte se shtrembërimi i së vërtetës ka shkaktuar përherë vuajtje. Shembujt e tillë janë të shumtë edhe nga historia shqiptare, sidomos ajo e Kosovës, sepse mitet e rrejshme serbe kanë nxitur përherë krime. Ndaj, për ata që duan sot një shoqëri të ngritur shqiptare, shqiptarët që ja fusin kot si Xharra apo Hatibi janë një me Jaçimoviqin apo Jovan Deretiqin.

Por, në replikën e quajtur “Përballë neo-otomanizmit”, Hatibi nuk ofron as mendim e as një dëshmi që mbështet “tezat” e tij. Por, krijon insinuata. Sipas tij, kush nuk pajtohet me të është neo-otoman apo bashkëmendimtar me tezat antishqiptare serbe! Ai pra del patriot, luftëtar, e madje në fund deklarohet se veç po e do Nënën Shqipëri. Po ku ka dashuri kur Nëna gënjehet?

Meqë reagimi i tij nuk është reagim, pasi merret me ca citate dhe insiston në postimin që i dha “famë” e që nxit debate koti fetare, është mirë t’i shtrohen disa pyetje që ndërlidhen me ato që ai përmend te “lista” e tij:

– A e di se më 1384 Topiajt ftojnë osmanët për ta luftuar Balshën II dhe se Beteja e Savrës e vitit 1385 shënon fillimin e fundit të principatave shqiptare dhe momentin vendimtar që i bën shqiptarët të jenë një nga forcat kryesore të Perandorisë Osmane?

– A e di se Arianitët (Komnenët) e Topiajtë e mohonin origjinën shqiptare, se thirreshin si trashëgimtarë të aristokracive bizantine apo franceze, e se Milan Shuflaj për familjet Balsha dhe Shpata përmend origjinën shqiptaro-vllahe?

– A e di se Dukagjinët, për të mbrojtur veç interesat e tyre u bënë Begollë, se Topiajtë u bënë Toptanë, dhe se të dy familjet i shkelën shqiptarët mos më shumë se osmanët?

– A e di se në shumicën e 25 betejave të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, trupat osmane kishin ushtarë shqiptarë e komandoheshin po ashtu nga shqiptarët?

– A e di se Dukagjinasit kanë tentuar ta vrasin Skënderbeun dhe se Skënderbeu është tradhtuar edhe nga familjarët e tij?

– A e di se më 1912 trupat osmane u larguan nga Ballkani dhe se politikanët e Shqipërisë luftuan dhe luftojnë veç për pushtet?

– A e di se Shqipëria e pavarur ka prodhuar figurat më kontroverse që s’janë parë gjatë 500 vjetëve të sundimit osman?

– A e di se gjatë Perandorisë Osmane, Shkodra dhe Korça bëhen vatra të kulturës shqiptare (natyrisht, me merita të shkodranëve e të korçarëve), porse shqiptarët më të mençur, më humanë e më patriotë i ka likuiduar Shqipëria që këtyre dy qyteteve ua dha tatëpjetën?

– Kur i përmend kardinalët, a e di se Shqipëria ka vrarë pa mëshirë ajkën intelektuale shqiptare, priftërinjtë françeskanë e jezuitë?

– Kush e ka shkatërruar dhe po e shkatërron sot trashëgiminë antike të Durrësit dhe kush po e pengon Shqipërinë sot, teksa këtë nëntor shënon 107 vjet pavarësi, të jetë shtet normal e perëndimor e jo vatër e krimit dhe e varfërisë?…

“Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën, meqë nuk duan të shkatërrohen iluzionet e tyre”, ka thënë filozofi gjerman, Friedrich Nietzsche. Asnjë shqiptar normal nuk është neo-otoman. Asnjë shqiptar i ndershëm nuk ia do të keqen vendit e popullit të tij. Por, asnjë shqiptar nuk mund të jetë patriot e njeri i mirë nëse i mbron iluzionet e mediokrëve e nëse nuk lufton për të vërtetën.

Hatibi në fund të shkrimit të tij citon vargjet e Vaso Pashës: “Ti ke pasë kenë një zojë e randë/burrat e dheut të thirrshin nanë”. Autori i këtyre vargjeve ka qenë nëpunës i lartë i Perandorisë Osmane – Guvernator i Libanit. Vaso Pasha ishte njeri me fat, se po të jetonte në Shqipërinë e pavarur, për vargjet “O moj Shqypni, e mjera Shqypni/ kush te ka qitë me krye n’hi?”, nga njerëzit si Dorian Hatibi që shkruajnë me “emocion” e jo rezon, do të shpallej o tradhtar o do të ekzekutohej.

Dhe, për fund: Nëse Durrësi (që sot e ka një kinse Universitet që Webometrics e rangon në vendin 12 284 në botë, të dhjetin në Shqipërinë që qëndron më keq se Kosova në nivel global – Universiteti i Tiranës në vendin 4 735 e ai i Prishtinës në vendin 2 776) kishte universitet shqiptar më 1380, atëherë edhe King Kongu ka gjasa të ketë qënë shqiptar!

AktivPress