Lajmet e rreme për virusin po përhapen në 25 gjuhë, po shkaktojnë vdekje dhe lëndime

1 muaj më parë

Lajmet e rreme për virusin po përhapen në 25 gjuhë, po shkaktojnë vdekje dhe lëndime

Sipas një hulumtimi, thashethemet, stigmatizimet dhe teoritë konspirative për koronavirusin janë duke qarkulluar në 25 gjuhë të ndryshme në së paku 87 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar vdekje dhe lëndime.

Studimi i publikuar të hënën në revistën “American Journal of Tropical Medicine and Hygiene”, përfshiu analizimin e thashethemeve, stigmatizimeve dhe teorive konspirative që u publikuan në rrjete sociale, gazeta online dhe faqe të tjera nga 31 dhjetori i vitit të kaluar deri më 5 prill të këtij viti.

Hulumtuesit e institucioneve të ndryshme nga Bangladeshi, Australia, Tajlanda dhe Japonia i identifikuan 2,311 raporte të lidhura me keqinformim të mundshëm rreth sëmundjes Covid-19 në 25 gjuhë nga 87 shtete dhe nga këto raporte, 89 për qind u klasifikuan si thashetheme, 7.8 për qind teori konspirative dhe 3.5 për qind stigmatizime.

Disa prej shembujve të keqinformimit ishin thashethemet se vezët janë të kontaminuara me koronavirus dhe se pirja e zbardhuesit mund ta vrasë virusin. Një shembull i stigmës ishte pretendimi se të gjitha sëmundjet e kanë prejardhjen nga Kina.

Shumica e thashethemeve, stigmatizimeve dhe teorive konspirative u identifikuan në Indi, Shtete të Bashkuara, Kinë, Spanjë, Indonezi dhe Brazil, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Sipas analizës, 24 për qind e raporteve të pasakta ishin të lidhura me sëmundjen Covid-19, vdekjet dhe përhapjen e virusit, 21 për qind me përpjekjet për kontrollimin e përhapjes, 19 për qind për trajtimin dhe shërimin, 15 për qind për shkaktarin dhe prejardhjen e virusit, 1 për qind për dhunën dhe 20 për qind ishin të lidhura me tema të përziera.